CNN: Rusët e vizituan Iranin të paktën dy herë për t’i shikuar dronët - NACIONALE

CNN: Rusët e vizituan Iranin të paktën dy herë për t’i shikuar dronët

4 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Një delegacion rus vizitoi një aeroport në pjesën qendrore të Iranit të paktën dy herë muajin e kaluar për t’i ekzaminuar dronët që mund të bartin armë, sipas këshilltarit amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan, dhe pamjeve satelitore të siguruara nga televizioni CNN.

Irani filloi që t’ua prezantonte dronët e tipit “Shahed-191” dhe “Shahed-129” Rusisë në aeroportin “Kashan”, në jug të Teheranit, muajin e kaluar, i thanë zyrtarët amerikanë televizionit CNN. Të dyja këto lloje të dronëve mund të bartin raketa me saktësi të lartë.

“Ne kemi informata se qeveria iraniane është duke u përgatitur që t’i ofrojë Rusisë qindra dronë, përfshirë dronët që mund të bartin armë”, tha Sullivan në një deklaratë.

“Ne vlerësojmë se një delegacion zyrtar rus rishtazi pranoi një prezantim të dronëve iranianë që mund të kryejnë sulme. Ne po i publikojmë këto pamje të kapura në qershor, që i shfaqin dronët iranianë të cilët delegacioni i qeverisë ruse i pa atë ditë. Kjo sugjeron interesim të vazhdueshëm rus për marrjen e dronëve iranianë që mund të kryejnë sulme”, thuhet më tej në deklaratën e zyrtarit amerikan.

Sipas tij, vizita e qershorit “ishte hera e parë që një delegacion rus e ka vizituar këtë aeroport për një prezantim të tillë”. Zyrtarët thanë se një delegacion rus e vizitoi aeroportin e njëjtë për një prezantim të ngjashëm përsëri më 5 korrik.

Lajmi për këtë vizitë vjen kur presidenti amerikan, Joe Biden, po e përmbyll vizitën në Lindjen e mesme, ku Irani është pikë kyçe e diskutimeve mes ShBA-së, Izraelit, Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera të Gjirit Persik. Një zyrtar amerikan i tha televizionit CNN se rritja e bashkëpunimit mes Iranit dhe Rusisë është shembull se pse Shtetet e Bashkuara duhet t’i mbajnë praninë dhe ndikimin e tyre në Lindjen e Mesme.

Biden-i mbetet nën presion nga aleatët e Lindjes së Mesme për të sjellë një plan të zbatueshëm për t’ia kufizuar ambiciet Iranit, pasi shpresa për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2018 është venitur pas dështimit të bisedimeve në Katar muajin e kaluar.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë bënë të ditur këtë javë se, sipas të dhënave të deklasifikuara rishtazi të inteligjencës amerikane, Irani pritet ta furnizojë Rusinë me qindra dronë për t’i përdorur në luftën në Ukrainë dhe autoritetet iraniane po përgatiten që t’i trajnojnë forcat ruse për përdorimin e dronëve që nga fundi i korrikut.

Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia është kthyer nga Irani për ta plotësuar mungesën e dronëve. Sidoqoftë, nuk është e qartë se sa të sofistikuar ose efektivë do të jenë këta dronë.

Në mars të këtij viti, zyrtarët amerikanë thanë se Rusia ka kërkuar ndihmë nga Kina për ta përkrahur luftën në Ukrainë. Megjithatë, deri në fund të majit, Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë ndodnjë dëshmi që Kina i ka ofruar Rusisë ndihma ushtarake ose ekonomike për luftën në Ukrainë, kishte deklaruar Sullivan.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme