Nuk e ndihmoi Kina, ShBA: Rusia do të furnizohet me qindra dronë nga Irani për luftën në Ukrainë
Sipas këshilltarit të sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe imazheve satelitore të marra ekskluzivisht nga CNN, një delegacion rus ka vizituar një aeroport në Iranin qendror të paktën dy herë në muajin e fundit për të ekzaminuar dronët e aftë për sulm.
Zyrtarët amerikanë thanë për CNN se, Irani i’a ka prezantuar Rusisë dronët Shahed-191 dhe Shahed-129, të njohur gjithashtu si UAV ose Mjete Ajrore pa pilot, në aeroportin Kashan në jug të Teheranit në muajin qershor. Ndërsa bënë të ditur se të dy llojet e dronëve janë të aftë të mbajnë raketa të drejtuara me saktësi.
"Ne kemi informacione se qeveria iraniane po përgatitet t'i sigurojë Rusisë disa qindra UAV, duke përfshirë UAV-të e aftë për armë," tha Sullivan në një deklaratë të dhënë për CNN.
"Ne po publikojmë këto imazhe të kapura në qershor që tregojnë UAV-të iraniane që delegacioni i qeverisë ruse pa atë ditë. Kjo sugjeron interesin e vazhdueshëm rus për blerjen e UAV-ve iraniane të aftë për sulm," ka shtuar Sullivan, duke thënë se vizita e qershorit "ishte hera e parë që një delegacion rus kishte vizituar këtë aeroport për një ekspozim të tillë”.

Zyrtarët po ashtu kanë bërë të ditur, se Rusia kishte bërë edhe një vizitë të njejtë në Iran më 5 korrik.
Ky lajm i fundit vjen ndërsa Biden është duke përfunduar udhëtimin e tij në Lindjen e Mesme, ku Irani ishte një pikë kyçe e diskutimit midis ShBA-së, Izraelit, Arabisë Saudite dhe vendeve të Gjirit.
Ndërkohë, një zyrtar tjetër amerikan ka thënë për CNN se partneriteti në rritje midis Iranit dhe Rusisë ilustron se pse ShBA duhet të ruajë praninë dhe ndikimin e saj në Lindjen e Mesme.
E ndërsa, Biden mbetet nën presion nga aleatët e Lindjes së Mesme për të hartuar një plan të zbatueshëm për të kufizuar Iranin, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë zbuluan në fillim të kësaj jave se inteligjenca e amerikane tregon se Irani pritet të furnizojë Rusinë me "qindra" dronë për t'u përdorur në luftën në Ukrainë - me Iranin që është në përgatitje të fillojë trajnimin e forcave ruse se si t'i operojnë ato që më shpejt.
Sipas CNN, ShBA tani beson se Rusia i është drejtuar Iranit për të ndihmuar në rimbushjen e rezervave të saj të dronëve. Sidoqoftë, është ende e paqartë se sa të sofistikuar ose efektiv do të jenë ata dronë.
Kujtojmë se, sipas zyrtarëve amerikanë më parë Rusia i ishte drejtuar Kinës për ndihmë në mbështetjen e luftës së saj në Ukrainë. Por, Sullivan më pas kishte thënë se që nga fundi i majit ShBA nuk kishte parë asnjë provë se Kina i kishte ofruar ndonjë mbështetje ushtarake ose ekonomike Rusisë për pushtimin.
