Transportonte municione nga Serbia në Bangladesh, dalin pamjet e rrëzimit të avionit që la tetë të vdekur në Greqi
Një avion i madh mallrash që transportonte municione nga Serbia në Bangladesh është rrëzuar në Greqinë veriore duke lënë të vrarë të tetë anëtarët e ekuipazhit në bord.
Pas rastit, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, ka bërë të ditur se avioni mbante 11.5 ton produkte ushtarake, duke përfshirë predha mortajash ndriçuese dhe predha stërvitore, dhe se blerës i tyre ishte ministria e Mbrojtjes e Bangladeshit.
Autoritetet greke thanë se në bord ishin tetë anëtarë të ekuipazhit, ndërsa një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Ukrainës ka njoftuar se të gjithë ishin shtetas ukrainas.
The Guardian shkruan se, sipas videove dhe raporteve të dëshmitarëve, avioni Antonov An-12 kishte marrë flakë ndërsa ishte ende në ajër. Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve të Athinës ka njoftuar se shpërthimet ishin dëgjuar të shtunën në mbrëmje teksa avioni ishte duke fluturuar mbi zonë.

Autoritetet greke të Aviacionit Civil bënë të ditur se fillimisht fluturimi ishte nisuar nga Serbia për në Jordani, megjithëse Amman më vonë konfirmoi se ai po ndalonte atje vetëm për të furnizuar me karburant. Avioni, një aeroplan turboprop i ndërtuar nga Sovjetikët, ishte duke u përdorur nga transportuesi i mallrave Meridian.
Ndërkohë, zyrtarët lokalë kanë njoftuar se në vendin e përplasjes gjatë natës ishin vendosur shtatë makina zjarrëfikse, por për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme ata nuk mund të afroheshin.
Nga rasti është njoftuar po ashtu se dy zjarrfikës janë dërguar në spital me probleme të frymarrjes për shkak të tymit toksik. Ndërsa zyrtarët kanë kërkuar nga banorët e lokaliteteve pranë vendngjarjes që të mbyllnin dritaret dhe mos të dilnin nga shtëpia pa maska.
