Vazhdon përhapja e zjarreve në Evropë, evakuohen mbi 14 mijë njerëz
Evropa është kapluar nga një valë e nxehtësisë ekstreme, duke bërë që të shpërthejnë zjarre të mëdha në shumë vende, e më të prekurat nga to janë Spanja e Franca.
Zjarret në Francën jugperëndimore kanë detyruar evakuimin e rreth 14,000 njerëzve, ndërkohë që në Spanjë zjarrfikësit të mbështetur nga brigadat e urgjencës të forcave të armatosura po përpiqen të shuajnë mbi 30 zjarre që janë duke djegur pyjet në të gjithë vendin.

Kushtet e thatësirës në Gadishullin Iberik e kanë bërë vendin veçanërisht të ndjeshëm ndaj zjarreve - disa të shkaktuara nga rrufeja, të tjera nga aksidenti, madje disa të tjera të vendosura qëllimisht.
Deri më tani në asnjërën nga vendet nuk pasur vdekje nga zjarri, ndërkohë në Portugali ka humbur jetën një pilot i një avioni zjarrfikës pas rrëzimit të tij në përpjekje të shuarjes së zjarreve.
Megjithatë, ndërsa temperaturat vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të larta, vdekjet e lidhura me to janë rritur në mes të një vale të nxehti që Bashkimi Evropian e konsideron si shkak të ndryshimit të klimës.

Në Spanjë, vala e dytë e të nxehtit të verës në shumë zona ka arritur në mbi 40 gradë, ku sipas institutit Carlos III të Spanjës, i cili regjistron çdo ditë vdekje të lidhura me temperaturën, që nga 10 korriku janë regjistruar 360 vdekje.
Përveç situatës së rëndë në Francë dhe Spanjë, duke u përballur me zjarre të mëdha janë edhe Hungaria, Kroacia, ishulli grek i Kretës si edhe Maroku dhe Kalifornia.
Temperaturat përvëluese kanë arritur gjithashtu deri në Britani, ku agjencia vendore e motit ka lëshuar "paralajmërimin e saj të kuq" të parë për nxehtësinë ekstreme ku pritet që temperaturat për herë të parë në Anglinë jugore të arrijnë në 40 gradë Celsius.
Megjithatë, këto temperatura mund të jenë relativisht të durueshme krahasuar me Portugalinë, ku ditën e mërkurë qyteti Pinhao ka regjistruar temperatura 47 gradë Celsius, duke vendosur kështu një rekord të ri kombëtar.
BBC njofton se në të gjithë Mesdheun, nisur nga Maroku në perëndim deri në Kretë në lindje - mijëra zjarrfikës dhe shumë avionë me ujë janë në përpjekje të shuarjes së zjarreve.

Ndërsa sipas ekspertëve, valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 C që nga fillimi i epokës industriale dhe ata paralajmërojnë se temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha në emetimet e karbonit.

