Euro dhe dollari arritën barazinë për herë të parë në 20 vjet
Rënia e monedhës së përbashkët europiane vjen në një kohë kur një shkurtim i furnizimit me gaz rus në Evropë rriti pasojat e një recesioni në eurozonë.
Euro arriti barazinë me dollarin të martën për herë të parë në gati 20 vjet, e rënduar nga rreziku për ekonominë e BE-së nga një ndërprerje e furnizimit me gaz rus.
Sipas të dhënave nga Bloomberg, euro ka arritur barazinë me dollarin në orën 11:46 me orën lokale (9:46 GMT).
Ekspertët besojnë se rritjet e fundit të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së (Fed) kanë forcuar dollarin dhe kanë inkurajuar investitorët të strehohen në këtë monedhë, ndërkohë që rreziku i recesionit dhe shqetësimet energjetike të nxitura nga lufta e Ukrainës po rëndojnë gjithnjë e më shumë në eurozonë.
Përveç kësaj, investitorët parashikojnë një recesion në zonën e euros për shkak të krizës energjetike dhe probabilitetit që Gjermania të hyjë në rritje negative për shkak të varësisë së saj më të madhe nga gazi rus.
Me marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit në pikën më të ulët në vite për shkak të pushtimit të Ukrainës, Gazprom mund të mos i hapë më valvulat, sipas analistëve.
"Javët e ardhshme mund të jenë sfiduese për Europën, ndoshta me pasigurinë maksimale që do të zgjasë deri në gusht", tha Stephen Innes nga SPI Asset Management. /Nacionale/