Rusia paralajmëron dimër të dhimbshëm, çmimet e gazit arrijnë rekord të ri - NACIONALE

Rusia paralajmëron dimër të dhimbshëm, çmimet e gazit arrijnë rekord të ri

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa Evropa po përgatitet për një mbyllje të mundshme të gazit rus dhe vendet garojnë për të mbushur objektet nëntokësore të depozitimit të gazit përpara dimrit, çmimet e gazit arritën një rekord të ri të martën prej 234,50 euro për megavat-orë.

Një vit më parë çmimi i gazit ishte 28,80 euro për MWh.

Gazprom, monopoli rus i eksportit të gazit paralajmëroi të martën se "sipas vlerësimeve konservatore", deri në dimër çmimet mund të rriten edhe 60 për qind nga nivelet aktuale.

Megjithatë, duke qenë se Komisioni Evropian dëshiron që blloku t'i japë fund varësisë së tij nga gazi rus sa më shpejt që të jetë e mundur, Rusia tashmë po bie në radhët e furnizuesve të gazit të BE-së – duke humbur vendin e saj nr. 1 në tregun gjerman ndaj Norvegjisë.

Historikisht, Norvegjia furnizonte rreth një të pestën e importeve të gazit natyror të Gjermanisë, por sipas gazetës Zeit, këtë vit është afër 30 për qind.

E me Rusinë që shihet si një furnizues jo i besueshëm, edhe vendet e tjera të BE-së shpresojnë të marrin më shumë gaz nga Norvegjia.

Në një konferencë për shtyp të hënën me kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre tha se sektori energjetik i vendit të tij po i jepte përparësi dërgimit të sa më shumë gazi shtesë në Evropë për të zbutur goditjen e mbylljes ruse, në vend që të injektonte gazin në fusha për të rritur prodhimin e naftës.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ministria e energjisë e Norvegjisë miratoi rritjen e licencës së prodhimit në disa fusha kryesore të gazit, por paralajmëroi se sasitë ishin afër tavanit të sasisë që mund të nxirret.

"Ne kemi rritur eksportet tona të gazit në krahasim me atë që kishim në fillim me afër 10 përqind, që është me të vërtetë maksimale, kështu që ne do të bëjmë gjithçka që mundemi me kompanitë për të ruajtur një nivel të lartë," tha Støre të hënën.

Ndërsa, të dhënat paraprake të Gazprom nga fillimi i vitit deri më 15 gusht tregojnë se eksportet në vendet përtej ish-Bashkimit të Shteteve të Pavarura Sovjetike janë ulur rreth 36 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kjo shifër merr parasysh dërgesat më të larta në Kinë, që do të thotë se ulja reale në Evropë është më e rëndë.

Lajme të ngjashme