Përveç luftës, Qeveria Kurti paralajmëron dimër të vështirë me energji elektrike - NACIONALE

Përveç luftës, Qeveria Kurti paralajmëron dimër të vështirë me energji elektrike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Inflacioni, çmime të larta, kriza ushqimore, mundësia për luftë mes Kosovës e Serbisë, janë lajmet me të cilat janë përballur kosovarët kohëve të fundit.

Sa për të mos mjaftuar të gjitha këto, Qeveria Kurti tash po paralajmëron edhe krizë me energji elektrike. Me një vendim të Kuvendit të Kosovës, Qeveria ka shpallur situatë emergjente në sektorin e energjisë.

E këtë të mërkurë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, foli sot rreth problemeve që priten të jenë me sektorin e energjisë elektrike.

Dimri i krizës së madhe

Në një konferencë për media, Rizvanolli dha një parashikim krejtësisht pesimist për situatën me energjinë elektrike.

Duke folur për dimrin që po vjen, ajo tha se është e vetëdijshme për situatën e vështirë, duke theksuar se Qeveria ka marrë të gjitha masat e nevojshme.

Besoj është e qartë për të gjithë. Dimri i ardhshëm do të jetë tejet i vështirë për të gjithë Evropën, kjo do të na ndikojë edhe neve në masën që ne kemi nevojë për import të energjisë. Është mirë të jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që po na presin. Jemi duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të realizueshme për një kohë të shkurtër. KEK-u është duke i bërë të gjitha përpjekjet që ndërhyrjet në blloqe të bëhen para dimrit. Duhet të kursejmë energjinë”, deklaroi Rizvanolli.

Shefja e Ministrisë së Ekonomisë foli edhe për marrëveshjen me Elektroserver për faturimin e energjisë në veri të Kosovës.

“Qeveria, ZRRE-ja dhe KOST-i kanë bërë përpjekje për realizimin e marrëveshjes. Ndërsa ngecjet janë kryekëput për shkak të anës tjetër, kompanisë Elektroserver. Është e rëndësishme të thuhet ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet në mënyrë që marrëveshja të realizohet sa më shpejt, edhe para afatit të paraparë në mënyrë që qytetarët në veri të vendit të fillojnë të paguajnë faturat e energjisë sa më shpejt që është e mundur”, tha sot Rizvanolli.

Dy javë më parë, shefi i Qeverisë, Albin Kurti, nuk e përjashtoi mundësinë e subvencionimit të energjisë elektrike.

“Ne gjithmonë jemi në ballë të betejave që i kanë qytetarët e Republikës, përfshirë këtu edhe subvencionimin që bëjmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithmonë ka ndarë mjete për subvencionim në mënyrë që kostoja të mos reflektohet, apo sa më pak të reflektohet te qytetari, pra është fjala për koston e shtuar në kushtet e krizës energjetike”, theksoi ai.

Gjendja emergjente

Ndryshe, 5 ditë më parë, Kuvend i Kosovës ka votuar për shpalljen e gjendjes emergjente në sektorin e energjisë elektrike.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 68 vota për e asnjë kundër, kanë votuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.

Në kuadër të masave përfshihen masat mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit, ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave e masa të kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Po ashtu këto masa obligojnë Ministrinë e Ekonomisë, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të propozojë masa mbështetëse për qytetarët. Në këtë kontekst, këto masa duhet të synojnë sigurimin e ngrohjes gjatë muajve të dimrit, si dhe të monitorojë dhe sipas nevojës të lehtësojë përgatitjet e ngrohtoreve për sezonën e dimrit.

Kujtojmë që tashmë qytetarët po përballen me inflacion të lartë e me krizë ekonomike, e cila ka bërë që të rriten çmimet e produkteve bazë. Në qershor të këtij viti, inflacioni ka shkuar në 14,1%, duke shënuar rekord që nga shpallja e pavarësisë.

Lajme të ngjashme