Nacionale qëndron në veri - ç’thonë banorët e kësaj pjese për deklaratat e Kurtit mbi luftën? - NACIONALE

Nacionale qëndron në veri - ç’thonë banorët e kësaj pjese për deklaratat e Kurtit mbi luftën?

1 vit më parë

nga Anita Nikaj

Vazhdon edhe më tutje të jetë një nga temat kryesore ditëve të fundit.

Fjala është për deklaratën e kryeministrit Kurti dhënë medias italiane, “La Repubblica”.

Ai mes të tjerash deklaroi se nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha.

“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti.

Për këtë, Gazeta Nacionale ka marrë rrugë për në veri të vendit.

Veriu

Atje ka marrë prononcimet e disa qytetarëve shqiptarë dhe një tjetri serb, pasi veç ai nga tetë sosh sa tentuam të merrnim përgjigje ishte i gatshëm të fliste. Kur u thamë se jemi nga një gazetë në Prishtinë, të gjithë refuzonin të flisnin.

Njëri prej tyre, që parapëlqeu të jetë anonim për shkaqe sigurie tha se në pjesën ku jeton ai nuk ka perspektivë. Tutje ai shprehet se Qeveria duhet të investojë, pasi populli po largohet.

Përveç kësaj ky banor tha se janë mësuar me këto kërcënime.

“Këtu nuk ka perspektivë. Qeveria duhet të investojë, populli po largohet. Jemi mësuar me kërcënime prej 23 vitesh, nuk është diçka e re, por është frika se nëse e ha dikush, ne jemi të parët. Normalisht policia është këtu, por ne nuk ndihemi të sigurt. Banorët po ikin, këtu nuk ka njeri. Ata (qeveria) shkojnë dhe ndërtojnë shtëpi për serbët në veri, ndërsa për shqiptarët nuk u interesojnë as kushtet në të cilat jetojmë. Ne nuk kemi frikë se jemi mësuar që 23 vjet, por në momentin kur flasin për luftë, e ndiejmë presionin”, shtoi ai.

Një tjetër qytetar, gjegjësisht Hakifi tha se sa u përket serbëve nuk e kanë asnjë problem.

Ai potencoi faktin se nuk kanë frikë nga lufta pasi lufta ka përfunduar.

“Sa për serbët, ne nuk kemi asnjë problem me ta. Ne kalojmë mirë me ta, askush nuk ka asnjë problem. Nuk kemi frikë nga lufta, nuk ka më luftë, as kurrgja. Këto janë të gjitha fjalë të qeverisë, se askush nuk do më luftë. (Qeveritarët) e kritikojnë njëri-tjetrin, ti kështu e ti ashtu, as fëmijët nuk e bëjnë këtë. Më mirë me pasë ardhë me pa vetë, po kurrë s’kanë ardhë. Po kurrkush nuk do luftë më, e kanë pa çka është lufta njëherë. Edhe barrikadat që i kanë qitë nuk na kanë blloku rrugën. I kanë qitë ma nalt rrugës, nuk i kanë pengu kurrkujt, bash hiç. Nuk mundem me thënë çka nuk është. Bëjmë tregti më njëri-tjetrin, na shkojmë tek ata, ata vinë te na, që sa vjet qeshtu. Ato i kanë veç me kallëzu që hala janë knej, se s’e kanë përnime, s’e kanë për luftë, se as nuk na ngucin e as nuk i ngucim. Nuk ka me pasë ma luftë si përpara”, tha Hakifi.

Zlatko, i vetmi

Ndërkaq, banori serb, tha se Kosova është tokë e shenjtë për Serbinë, porse nuk bëjnë luftë.

Këto se çfarë fliten për ndikimin e Rusisë në Serbi janë idiotësi. Rusia ka politikën e saj, tani po bën luftën.

"Unë nuk du luftë, kush do të luftojë, le të shkojnë të luftojnë në shtëpitë e tyre. Edhe Kurti nëse do të luftojë, le ta bëjë në shtëpinë e tij. Nëse targat janë arsye për të filluar luftën, unë nuk jam për të. Kjo është arsye e vogël për të filluar luftën, nuk di çfarë të them. Askush nuk e pengon vendosjen e targave të reja. Ata vijnë me targa RKS, ne shkojmë me targat e vjetra që i kemi, askush nuk pengon askënd. E kam vozitur makinën time 18 vjet pa e regjistruar. Kur erdhi ligji që makinat duhet të regjistrohen, i kam regjistruar. Puna e targave është punë e vogël, njerëzit do ta mësojnë me kohë, dhe t’i vendosin targat e reja. Me dhunë nuk shkon kjo punë, duhet kohë. Sa për thirrjet e Kurtit për luftë nuk qëndron fare. Rusia ka punët e veta, ne kemi tonat. Rusia është shumë e madhe dhe ka pushtetin e vet, ndërsa Serbia të vetin. Nuk ka aspak ndikim në qeverisjen serbe. Këto se çfarë po flitet për ndikimin e Rusisë në Serbi janë idiotësi. Rusia ka politikën e saj, tani po bën luftën e saj. Ne nuk mendojmë për luftë, Kosova është tokë e shenjtë për Serbinë”, tha fillimisht ai.

I pyetur nëse ju (serbët) do të keni luftën tuaj, Zlatko tha jo, kush do të luftojë, siç tha më herët, të luftojë në shtëpinë e vet. “Kemi shumë miq shqiptarë, kemi marrëdhënie të mira me pjesë të tjera të qytetit, bëjmë biznes, luajmë futboll, pijmë kafe bashkë.”

Disa shqiptarë që ishin ulur në brigjet e Ibrit ishin të të njëjtit mendim me Zlatkon. Ata thanë se jetojnë në pjesën veriore të qytetit dhe marrëdhëniet e tyre me serbët janë shumë të mira.

Këto janë vetëm interesa të qeverive për të destabilizuar vendin. Ne nuk kemi vërejtur asnjë konflikt. Atë natë kur u lëshuan sirenat, të gjithë serbët dhe shqiptarët u mbyllën në shtëpitë dhe banesat e tyre, sepse askush nuk dëshiron konflikt, vetëm pak njerëz që kanë interesa personale, por edhe ata dalëngadalë do të bien në vend pasi e kanë kuptuar se askush nuk dëshiron të luftojë. Nuk e di pse Kurti tha se do të ketë luftë, por lufta nuk është opsion.

Kujtojmë se shumë figura, qoftë nga politika, qoftë nga ekonomia reaguan për deklaratat siç i etiketuan ata të pamatshme të Kurtit, pasi të tilla deklarata mund të ndikojnë tejet negativisht sidomos tek investimet e huaja.

Lajme të ngjashme