Paralajmërimet e Kurtit, shumica e qytetarëve nuk besojnë se do të ketë luftë - NACIONALE

Paralajmërimet e Kurtit, shumica e qytetarëve nuk besojnë se do të ketë luftë

4 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Në fjalët e kryeministrit Albin Kurti, në Kosovë po fryn erë lufte. Që nga dje, në Kosovë është bërë temë diskutimi deklarimi i shefit të ekzekutivit për mundësinë e luftës ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Në prononcimin për gazetën italiane "La Repubblica", Kurti përmendi potencialitetin e luftës për shkak të tensioneve në veri, duke e futur brenda një konteksti të invazionit të Rusisë në Ukrainë.

Por, për dallim nga kryeministri, qytetarët nuk është se besojnë që mund të ketë luftë mes Kosovës e Serbisë.

S’ka luftë

Gazeta Nacionale gjatë mesditës, shtroi një pyetje në faqen e saj në Facebook për këtë çështje.

“A mendoni se Kosova rrezikon luftën, siç paralajmëroi kryeministri Kurti?”, ishte pyetja për lexuesit e Nacionales në Facebook, duke i ftuar ata të komentojnë.

E në fakt, shumë qytetarë komentuan në pyetjen e shtruar nga Nacionale. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, saktësisht 140 komente erdhën nga qytetarët, të cilët treguan se çfarë mendojnë për paralajmërimet e Kurtit.

Ajo çfarë ra në sy ishte mospajtimi i qytetarëve me fjalët e Kurtit për luftë.

Një qytetar, shefin e ekzekutivit e quajti kryedemagog.

“Kosova është e rrezikuar veç prej kryedemagogut Kurti”, shkroi ai, gjersa komenti i tij u pëlqye nga 12 njerëz.

Një tjetër pamundësinë e luftës në Kosovë e lidhi me prezencën e KFOR-it.

“Sa është KFOR-i prezent në Kosovë, gjasat për luftë nga Serbia janë 0”, shkroi qytetarja në pyetjen e Nacionales.

Por, disa qytetarë nuk përmbaheshin në komente, duke u lëshuar në cilësime të papranueshme për kryeministrin.

“Lufta u kry dhe u shkru niherë historia sa i përket luftës, kryji punët tua të brendshme, qikjo është lufta jote o rrenc”, komentoi dikush.

Dikush i tha Kurtit se është “i deleguar special i Serbisë-Rusisë në Kosovë”, me mision për të shkatërruar gjithçka që është ndërtuar deri më tani.

Natyrisht, ajo çfarë ra në sy ishte mungesa elementare e drejtshkrimit te qytetarët, të cilët nuk ngurronin të shprehnin mendimet e tyre.

Ndonëse në pakicë, nuk munguan as komentet pajtuese me pohimet e kryeministrit Kurti.

Një komentues theksoi se paralajmërimi i Kurtit është i saktë, por e njëjta nuk guxon të shprehet hapur, për shkak të ndikimit të përkeqësimin e situatës ekonomike dhe të sigurisë.

“Po, sepse Rusia me shërbimet e saja sekrete është duke bërë përpjekje maksimale që të bindë Serbinë për një konflikt në Kosovë”, shkroi një tjetër.

Ndryshe, Nacionale ka pyetur edhe lexuesit e saj në grupin e Viberit, të cilët me shumicë (95%) kanë kundërshtuar paralajmërimet e Kurtit.

Çfarë tha Kurti dje?

Në intervistën për gazetën e njohur italiane, "La Repubblica", të cilën e përktheu Nacionale, Kurti foli për tensionet në veri. Më konktretisht, ai theksoi se sulmet ndaj Policëve të Kosovës në atë pjesë të vendit, po bëhen nga njerëz të paguar nga Beogradi.

Por, Kurti nuk e përjashtoi mundësinë e një konflikti në Kosovë për shkak të Rusisë, e cila sipas tij po tenton të shtrijë ndikimin e pansllavizmit.

“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti për "La Repubblica" të Italisë.

Shefi i Qeverisë e përmendi Rusinë edhe në një intervistë tjetër, të publikuar po ashtu dje.

Gjatë deklarimit për Radion Evroa e Lirë, Kurti tha se Rusia po dëshiron të destabilizojë Ballkanin, e në veçanti Kosovën.

“Nuk është e çuditshme që ajo vjen nga Serbia, meqenëse Rusia po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për të destabilizuar Ballkanin dhe në veçanti [për ta] sulmuar Kosovën që është rast i suksesshëm edhe i intervenimit të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në pranverën e vitit 1999 edhe shembull suksesi i zhvillimit ekonomik me demokraci cilësore”, theksoi ai.

Ndryshe, partitë opozitare e kritikuan gjatë ditës së djeshme kryeministrin Kurti për këto deklarata, të cilat ata vlerësuan se dëmtojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme