Kurti për gazetën italiane: Njerëz të paguar nga Beogradi po sulmojnë policinë në veri - NACIONALE

Kurti për gazetën italiane: Njerëz të paguar nga Beogradi po sulmojnë policinë në veri

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tensionet e datës 31 korrik në veri të Kosovës, po vazhdojnë të ngjallin vëmendjen e medieve ndërkombëtare. Gazeta La Repubblica përsëri ka shkruar për situatën në Kosovë pas përplasjeve për reciprocitetin për targa e dokumente.

Në fakt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur italiane.

Çfarë tha kryeministri Kurti?

Në këtë prononcim, Kurti ka folur rreth sulmeve ndaj zyrtarëve policorë në veri të Kosovës.

Shefi i ekzekutivit theksoi se personat që sulmuan e po vazhdojnë të sulmojnë policët janë të paguar nga Beogradi, të cilët punojnë për strukturat paralele në veri të Kosovës.

Edhe në këtë intervistë, ai ka përmendur Milan Radojçiqin, nënkryetar i Listës Serbe, e që është edhe në listë të zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas Kurtit, strukturat paralele në veri janë të frustruar për shkak se ekonomia e Kosovës është duke lulëzuar.

Prokurori është duke i vëzhguar pamjet që janë publikuar në rrjetet sociale. Ishin njerëz të paguar nga Beogradi, të cilët punojnë për strukturat paralele në veri të Kosovës. Disa ishin njëmend kriminelë, të cilët ishin futur në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po u referohem Radojçiqit dhe Veselinoviçit. Ka qenë një deja-vu. Ajo metodë është përdorë nga serbët që në vitet e ‘90-ta, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Mirëpo, Kosova sot është një vend demokratik. Mund të bëjnë shumë pak. Janë të frustruar, sepse ekonomia jonë, anipse nuk na njohin, është duke lulëzuar”, ka thënë Kurti për La Repubblica, transmeton Nacionale.

Tutje, Kurti ka folur edhe për mundësinë e luftës mes Kosovës e Serbisë.

Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për çështjen e takimit në Bruksel mes tij e presidentit të Serbisë më 18 gusht.

"Në javën e tretë të gushtit do të organizohet një takim në Bruksel mes neve dhe serbëve, ku do të diskutohet rreth çështjeve të përgjithshme, të cilat kanë të bëjnë me raportet Prishtinë - Beograd. Shpresoj që i njëjti takim do të kontribuojë që të reduktohen tensionet", shtoi Kurti.

Situata në veri

Ndryshe, La Repubblica ditë më parë i kishte kushtuar një shkrim tjetër tensioneve në veri të Kosovës.

Ajo çfarë ra në sy në shkrimin e gjatë të La Repubblica, janë deklarimet e rrezikshme që prononcuesit serbë kanë dhënë për gazetën.

Srdjan Simonoviç, që sipas La Repubblica është pjesëmarrës në shumë organizata ndërkombëtare të sigurisë, ka treguar nivelin e gatishmërisë që serbët në veri kishin gjatë 31 korrikut.

Ai theksoi se ata ishin të gatshëm për të luftuar.

“Ishin të armatosur dhe njëmend gati për të luftuar”, tregon 46-vjeçari.

I ulur në afërsi të rrethojave të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ai alarmoi edhe për atë që sipas tij ishte një skenar i pashmangshëm, shkruan La Repubblica.

“Nëse kryeministri Albin Kurti nuk do t’i shtynte vendimet për targat e automjeteve dhe letërnjoftimet, situata do të dilte jashtë kontrollit. Po, një konflikt i ri do të ndodhte. Dhe, nuk do ta quaja rebelim, por një masë e nevojshme për të mbrojtur atë që kemi”, ka potencuar Simonovic.

Nën shoqërimin e cigares së dytë, Simonoviç i tregon parashikimet e tij se çfarë mund të ngjajë muajin e ardhshëm, kur skadon prolongimi 30-ditor i reciprocitetit.

Ai thotë se serbët do të dalin në rrugë.

“Do të ndodhë diçka shumë e keqe brenda një apo dy muajsh, nëse Kurti nuk do t’i tërheqë vendimet. Serbët do të dalin në rrugë. Nuk i kemi harruar 3000 të dëbuarit, të cilëve Qeveria e Prishtinës nga viti 2004 ua pamundëson rikthimin në shtëpitë e tyre. Nuk duam ta kemi fatin e tyre”, përfundoi ai.

Gjuhë më liberale dhe më të matur nuk ka përdorur as drejtoresha e portalit lokal, Kossev. Tatjana Lazareviç, e cila me tone kërcënuese i ka komentuar zhvillimet e fundit në veri.

“Jam shumë e brengosur. Nëse NATO apo Ambasada e SHBA-ve lejojnë Kurtin dhe palën tjetër të bëjnë çfarë të duan, atëherë në shtator do të nisë një konflikt i ri. Shikoni, jemi shumë afër…”, theksoi ajo.

Ndryshe, më 18 gusht, Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, nën lehtësimin e të dërguarit të posaçëm Miroslav Lajçak.

Lajme të ngjashme