Rreziku nga "ariu rus", Kurti akuzon Rusinë se dëshiron luftë në Kosovë
Në secilat paraqitje në media ndërkombëtare pas tensioneve në veri, kryeministri Albin Kurti flet për rrezikun e luftës mes Kosovës e Serbisë. Për këtë të fundit, shefi i ekzekutivit thotë se është duke u përdorur nga Rusia si platformë destabilizuese e Ballkanit Perëndimor. Kosova është ndër vendet e para që ka miratuar një listë të gjatë të sanksioneve ndaj Rusisë, pas invazionit të saj në Ukrainë.
Krahas deklaratave, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, ka bërë edhe hapa konkretë për të luftuar ndikimin rus në Kosovë.
Përveç sanksioneve ndaj Rusisë, të miratuara në dakordim me aleatët perëndimorë, Qeveria e ka shpallur së fundmi një gazetare ruse person të padëshiruar për shtetin kosovar.
E kohë më parë, shteti i Kosovës kishte shpallur “person non-grata” dy diplomatë rusë që vepronin në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Rreziku rus
Në intervistën për gazetën e njohur italiane, La Repubblica, të cilën e përktheu Nacionale, Kurti ka folur përsëri për tensionet në veri. Më konktretisht, ai theksoi se sulmet ndaj Policëve të Kosovës në atë pjesë të vendit, po bëhen nga njerëz të paguar nga Beogradi.
Por, Kurti nuk e përjashtoi mundësinë e një konflikti në Kosovë për shkak të Rusisë, e cila sipas tij po tenton të shtrijë ndikimin e pansllavizmit.
“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti për La Repubblica të Italisë.
Shefi i Qeverisë e përmendi Rusinë edhe në një intervistë, të publikuar po ashtu sot gjatë ditës.
Gjatë deklarimit për Radion Evroa e Lirë, Kurti tha se Rusia është duke dëshiruar të destabilizojë Ballkanin, e në veçanti Kosovën.
“Nuk është e çuditshme që ajo vjen nga Serbia, meqenëse Rusia po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për të destabilizuar Ballkanin dhe në veçanti [për ta] sulmuar Kosovën që është rast i suksesshëm edhe i intervenimit të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në pranverën e vitit 1999 edhe shembull suksesi i zhvillimit ekonomik me demokraci cilësore”, theksoi ai.
Spiunazhi i Rusisë
Kurti për REL ka folur edhe rreth ndalimit, e më pas shpalljen person të padëshiruar të gazetares ruse, Daria Aslamova.
Shefi i ekzekutivit deklaroi se ajo nuk kishte qëllime të mira në Kosovë.
“Bëhet fjalë për një person të mirënjohur nga shumë shtete në Evropën lindore për veprimtarinë destruktive gjithnjë në funksion të Kremlinit zyrtar. Dhe nuk është e rastësishme që ajo u përpoq të vinte nga vendkalimi kufitar në veri të Kosovës. Pra, ishte në Serbi ku mbase ishte edhe e mirëpritur dhe që prej atje provoi të hynte edhe në Kosovë dhe organet tona e ndaluan dhe më pas edhe e dëbuan”, komentoi Kurti.
Tutje, Kurti e ka përmendur edhe Qendrën Humanitare Ruse në Nish, e cila sipas tij është e mbushur me shumë agjentë e oficerë rusë.
“160 kilometra nga ky vend ku po e zhvillojmë intervistën, në Nish të Serbisë, është e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse me shumë agjentë dhe me shumë oficerë rusë, të cilët bashkë me ata serbë natyrisht kanë për synim se si ta destabilizojnë Kosovën, si ta cenojnë paqen dhe demokracinë, si ta rrezikojnë sigurinë për Kosovën dhe jo vetëm. Andaj, veprimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ishte i menjëhershëm, i saktë, i duhur dhe profesional”, përfundoi Kurti.
Kujtojmë që në tetor të vitit të kaluar, Kosova ka shpallur dy diplomatë rusë si persona të padëshiruar, duke e akuzuar Kremlinin se po organizon aktivitete destabilizuese.
Sanksionet ndaj Federatës Ruse
Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka miratuar një listë të sanksioneve.
Menjëherë pas fillimit të invazionit të Rusisë në Ukrainë, Qeveria e Kosovës kishte vendosur sanksione ekonomike e financiare ndaj Federatës ruse.
Sipas Kurtit, miratimi i sanksioneve është në përputhje me qëndrimet e SHBA-së dhe Këshillin e Bashkimit Evropian.

“Kjo nuk është hera e parë që Republika e Kosovës, duke qenë e rreshtuar me botën demokratike i vë sanksione Federatës Ruse, por është hera e dytë. Në të dyja rastet, sanksionet janë vënë për shkak të agresionit dhe atë ndaj Ukrainës, dëshmi që kjo Rusi që po e shohim sot nuk është një Rusi e re, por, edhe paralajmërim se ajo nuk synon të jetë e re. Në fakt ajo dëshiron prapë të jetë e vjetër, madje të bëhet edhe më e vjetër se Bashkimi Sovjetik, pra të bëhet Perandori Ruse”, tha Kurti.
E Kosova kishte vendosur sanksione edhe në muajin prill, të cilat përfshinin masa kufizuese të eksportit të teknologjisë e investime të reja në sektorin energjetik rus.

