Janjiq: Pres zgjedhje të reja në Kosovë - nëse vazhdon kjo politikë, çështje kohe se kur shpërthen lufta
Analisti Dushan Janjiq ka deklaruar se shtyrja e implementimit të zbatimit të reciprocitetit për letërnjoftimet do të çojë në thirrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë gjatë vjeshtës.
Janjiq i tha agjencisë Beta se pritet që Lista Serbe do të largohet nga institucionet e Kosovës në muajin shtator për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës, gjë që sipas tij “do të shtynte zbatimin e vendimit për reciprocitetin në targa dhe në letërnjoftime edhe për disa muaj”.
Në fakt, Lista Serbe ishte larguar edhe nga Qeveria Haradinaj në të kaluarën, por ajo qeveri megjithatë kishte vazhduar me punën e saj. As Qeveria Kurti nuk varet nga votat e deputetëve serbë.
“Kemi shtyrje konstante, megjithëse zgjidhja dihet. Të gjithë e dinë se zgjidhja përfundimtare është ajo që njihet nga autoritetet ndërkombëtare transportuese sa i përket targave, RKS dhe SRB. Kur është puna te letërnjoftimet, të gjithë e dinë se Kurti ka qenë duke e ndjekur politikën e reciprocitetit për tri vjet. Politika e shtyrjes dhe reciprocitetit nuk çon në një fund të lumtur e të shpejtë,” – u shpreh ai.
Kur u pyet se kush do të jetë “përfituesi” i kësaj situate, ai tha se ishte Lajçaku me të tjerë diplomatë ndërkombëtarë që merren me çështjen e Kosovës, e të cilët do të kishin mundësi të shkonin në “pushime vjetore”.
“Pres që në shtator Lista Serbe do të largohet nga Qeveria e Kosovës, dhe do të ketë thirrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme,” – vazhdoi më tej ai.
I pyetur në lidhje me mundësinë e një konflikti të ri në Ballkan, Janjiq u shpreh se çdo gjë që po ndodhte në Kosovë, Maqedoni dhe Bosnje kohët e fundit të çonte te një luftë e re.
“Nëse kjo politikë vazhdon, është vetëm çështje kohe se kur të shpërthejë lufta,”- u shpreh ai.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës është pajtuar me kërkesën amerikane për të shtyrë vendimin e zbatimit të reciprocitetit gjatë mbrëmjes së kaluar.

