Gazprom do të kufizojë edhe më tej furnizimin me gaz për Evropën
Gjigandi rus i energjisë Gazprom ka njoftuar se do të ulë edhe një herë në mënyrë drastike furnizimet me gaz në Evropë përmes tubacionit të tij kryesor për shkak të punëve të mirëmbajtjes.
Gazprom tha se ndalimi i një turbine tjetër në tubacionin Nord Stream 1 do të reduktonte prodhimin ditor të gazit në 20%, duke përgjysmuar nivelin aktual të furnizimit.
Pas këtij, njoftimi qeveria gjermane ka thënë se Gazprom në fakt nuk kishte asnjë arsye teknike për të kufizuar furnizimin me gaz.
Megjithatë, ky kufizim ka të ngjarë ta bëjë edhe më të vështirë rimbushjen e rezervave të gazit përpara dimrit për vendet evropiane.
Tubacioni Nord Stream 1, i cili pompon gazin nga Rusia në Gjermani, për javë të tëra ka funksionuar nën kapacitet, dhe në fillim të këtij me arsye të mirëmbajtjes u mbyll për një pushim 10-ditor.
Kujtojmë se, vitin e kaluar Rusia ka furnizuar Evropën me 40% të gazit të saj ndërsa tani BE-ja e akuzon Rusinë që po e përdor energjinë si një armë kundër Evropës.
E pasi Rusia paralajmëroi se mund të frenojë ose të ndalojë plotësisht furnizimet, Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve që ta reduktojnë përdorimin e gazit me 15% gjatë shtatë muajve të ardhshëm.
Gazprom i kontrolluar nga shteti rus tha se reduktimi i fundit i furnizimit do të fillojë të mërkurën për shkak të "gjendjes teknike" të njërës prej dy turbinave të fundit që janë në funksion.
Por një zëdhënëse e ministrisë gjermane të ekonomisë i tha agjencisë së lajmeve AFP: "Sipas informacionit që kemi, nuk ka asnjë arsye teknike për një reduktim të dërgesave."
Por, Kremlini pohon se është një partner i besueshëm energjetik dhe për këto ndërprerje fajëson sanksionet perëndimore.
Kujtojmë edhe se, Gazprom ka ndalur plotësisht furnizimin me gaz për Bullgarinë, Danimarkën, Finlandën, Holandën dhe Poloninë, për shkak të refuzimit të tyre për të përmbushur një urdhër të Kremlinit për të paguar faturat e tyre në rubla, në vend të euro ose dollarë.


