Nuk ndalet me Donbasin, Rusia do t'i japë fund "regjimit të papranueshëm" të Ukrainës - NACIONALE

Nuk ndalet me Donbasin, Rusia do t'i japë fund "regjimit të papranueshëm" të Ukrainës

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kryediplomati rus Sergej Lavrov është shprehur se qëllimi kryesor i Moskës në Ukrainë është të çlirojë popullin e saj nga "regjimi i saj i papranueshëm", duke shprehur qëllimet e luftës së Kremlinit në disa nga termat më të ashpër.

Associated Press shkruan se komentet e ministrit të Jashtëm rus, vijnë mes përpjekjeve të Ukrainës për rifillimin e eksporteve të grurit nga portet e saj të Detit të Zi, diçka që do të ndihmonte në lehtësimin e mungesës globale të ushqimit.

Duke folur me të dërguarit në një samit të Ligës Arabe në Kajro të dielën vonë, Lavrov akuzoi Kievin dhe aleatët e tij perëndimorë për përhapjen e propagandës që ka për synim “ta bëjë Ukrainën armik të përjetshëm të Rusisë”.

“Ne jemi të vendosur të ndihmojmë popullin e Ukrainës lindore që të çlirohet nga barra e këtij regjimi absolutisht të papranueshëm”, tha ai, duke sugjeruar se qëllimet e luftës së Moskës shtrihen përtej rajonit industrial të Donbasit të Ukrainës në lindje.

Lavrov tha: "Ne me siguri do të ndihmojmë popullin ukrainas të heqë qafe regjimin, i cili është absolutisht antipopullor dhe antihistorik".

Komentet e Lavrov pasuan paralajmërimin e tij të javës së kaluar se Rusia planifikon të mbajë kontrollin mbi zona më të mëdha përtej Ukrainës lindore, duke përfshirë rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia në jug të vendit.

Por, këto komente të Lavrov janë në kontrast me linjën e Kremlinit në fillim të luftës, kur Rusia vazhdimisht thoshte se nuk është duke kërkuar të rrëzojë qeverinë e Presidentit Volodymyr Zelenskyy, edhe pse trupat e Moskës e rrethuan Kievin.

Në muajin mars, vetë Lavrov argumentoi se Rusia ishte e gatshme të negocionte një marrëveshje për t'i dhënë fund armiqësive, atëherë kur Kievi ndryshoi qëndrim dhe deklaroi synimin e tij për të shpartalluar Rusinë në fushën e betejës. Lavrov tha se Perëndimi e ka inkurajuar Ukrainën që të vazhdojë të luftojë.

“Perëndimi këmbëngul se Ukraina nuk duhet të fillojë negociatat derisa Rusia të mposhtet në fushën e betejës”, tha Lavrov.

Gjatë një vizite në Republikën e Kongos të hënën, Lavrov përsëriti pretendimin e ushtrisë ruse se sulmi në Odesa, i realizuar pas marrëveshjes për eksportet e grurit, kishte në shënjestër një varkë të marinës ukrainase dhe një depo me raketa anti-anije Harpoon të furnizuara nga Perëndimi.

“Ne nuk kemi krijuar asnjë pengesë për dërgimin e grurit në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në Stamboll”, tha Lavrov, duke shtuar se marrëveshjet e nënshkruara “nuk përmbajnë asgjë që do të pengonte vazhdimin e operacionit special ushtarak”

Lajme të ngjashme