Rusia akuzon ushtarakët e Ukrainës për krime kundër njerëzimit - NACIONALE

Rusia akuzon ushtarakët e Ukrainës për krime kundër njerëzimit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kreu i komitetit hetimor të Rusisë ka bërë të ditur se Moska ka akuzuar 92 anëtarë të forcave të armatosura të Ukrainës, për krime kundër njerëzimit.

BBC shkruan se, duke folur për gazetën qeveritare Rossiiskaya Gazeta, Alexander Bastrykin njoftoi se vendi ka nisur mbi 1300 hetime penale ndaj ushtarëve ukrainas.

Ai propozoi gjithashtu ngritjen e një gjykatë ndërkombëtare të mbështetur nga aleatët tradicional të Rusisë, si Irani, Siria dhe Bolivia.

Bastrykin tha se përveç 92 personave tashmë të akuzuar, rreth 96 persona të tjerë, përfshirë 51 komandantë janë në kërkim.

“Ukrainasit janë të përfshirë në krime kundër paqes dhe sigurisë së njerëzimit,” është shprehur ai për gazetën. Ndërsa, lidhur me këtë çështje ende nuk ka pasur ndonjë koment nga Kievi.

Në te njëjtën kohë edhe Ukraina është duke zhvilluar hetime ndaj ushtarakëve rusë për krime lufte. Në këtë muaj vendi tha se është duke shqyrtuar më shumë se 21,000 krime lufte dhe krime agresioni që dyshohet se janë kryer nga forcat ruse që nga fillimi i pushtimit në muajin shkurt.

Kujtojmë se në muajin maj, u mbajt gjyqi i parë për krimet e luftës në Ukrainë, kyu një gjykatë vendosi dënim me burg të përjetshëm për një komandant rus i cili akuzohet për vrasjen e një civili.

Edhe Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila e ka përshkruar Ukrainën si "skenë krimi", ka dërgua në vend një ekip hetuesish dhe ekspertësh të mjekësisë ligjore në Ukrainë.

Megjithatë, Kremlini që nga fillimi ka mohuar dhe vazhdon të mohojë të gjitha krimet e luftës ose shënjestrimin e civilëve, duke fajësuar vazhdimisht Ukrainën për bombardimin e infrastrukturës së saj dhe vrasjen e civilëve – akuza të cilat janë hedhur poshtë nga liderët ndërkombëtar.

I pyetur në intervistë nëse mund të zhvillohet një gjyq i mbështetur nga OKB-ja, Bastrykin ka akuzuar Perëndimin për sponsorizimin e hapur të "nacionalizmit ukrainas" , duke thënë se një gjë e tillë është "është jashtëzakonisht e dyshimtë". E në vend të kësaj ai propozoi ngritjen e një gjykate ndërkombëtare në bashkëpunim me vendet që kanë "një pozicion të pavarur për çështjen e Ukrainës" - në veçanti Sirinë, Iranin dhe Bolivinë.

Kujtojmë se Siria dhe Irani ishin ndër vendet që votuan kundër një rezolute të OKB-së në muajin mars që dënonte pushtimin rus të Ukrainës, ndërsa Bolivia abstenoi.

Ndër të tjera, Bastrykin bashkë me qindra ushtarakë dhe politikanë ukrainas njoftoi se hetimet janë duke e zhvilluar edhe ndaj punonjësve të ministrisë së Shëndetësisë së Ukrainës, të cilët i akuzoi për zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Ai po ashtu bëri të ditur se përveç ukrainasëve, nën hetime janë edhe mercenarë të dyshuar nga Britania e Madhe, ShBA, Kanadaja, Holanda dhe Gjeorgjia.

Kujtojmë se në muajin qershor një gjykatë me prokurë ruse në Ukrainën lindore, dënoi me vdekje dy britanikë dhe një maroken të cilët u kapën duke luftuar për Ukrainën. Megjithëse familjarët e të dënuarve, Aiden Aslin, Shaun Pinner dhe Brahim Saaudun thanë se ata ishin anëtarë të ushtrisë ukrainase, gjykata pro-ruse i akuzoi për mercenarë.

Kujtojmë se Moska ka bërë vazhdimisht pretendimin e rremë se Ukraina është pushtuar nga neo-nazistët për të justifikuar pushtimin e vendit, të cilin ajo e quan një "operacion special ushtarak".

Lajme të ngjashme