Ukraina paralajmëron rikthimin e territoreve të pushtuara nga Rusia - NACIONALE

Ukraina paralajmëron rikthimin e territoreve të pushtuara nga Rusia

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky thotë se forcat e tij janë duke përparuar "hap pas hapi" në rajonin jugor të pushtuar të Khersonit.

Qyteti Kherson ra në duart e Rusisë qysh në fillim të luftës dhe ndodhet në një vend strategjik në perëndim të lumit Dnipro.

Por, ditën e shtunë zyrtarët e Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar raportuan për luftime të ashpra pranë Khersonit.

Sipas vlerësimit të tyre, përparimi ukrainas nënkuptonte se linjat ruse të furnizimit në perëndim të lumit ishin “gjithnjë e më shumë në rrezik”.

Kujtojmë se edhe në fillim të këtij muaji, zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk u kërkoi banorëve të Khersonit të evakuonin qytetin sa më shpejt të jetë e mundur për të shmangur bllokimin gjatë një kundërofensivë në Ukrainën jugore.

“Është e nevojshme të bëhet kjo që Forcat e Armatosura të Ukrainës të mos rrezikojnë popullsinë civile gjatë operacioneve sulmuese”, tha ajo për televizionin shtetëror.

Ndërkohë, sipas AFP-së, Serhiy Khlan, një këshilltar i qeverisë së Khersonit, ka thënë për televizionin ukrainas se rajoni do të "çlirohet përfundimisht deri në shtator".

Forcat e Kievit në një përpjekje për të bllokuar linjat e furnizimit të Rusisë, kanë synuar kalimet e lumenjve në rajon. Ditën e shtunë, një urë mbi lumin Inhulets, degë e Dnipros u godit rëndë nga një sulm artilerie. Ndërsa, ditën e martë, ukrainasit shënjestruan urën Antonivskyi mbi vetë Dnipron, me artileri të marrë nga ShBA.

Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar e kanë përshkruar Urën Antonivskyi si një "vulnerabilitet kyç" për forcat ruse duke thënë se nëse "ndaloheshin kalimer për forcat ruse në Kheroson, kjo do të ishte një pengesë e rëndësishme ushtarake dhe politike për Rusinë".

E edhe një këshilltar i lartë i mbrojtjes i Zelensky-t, pretendoi se rreth 1000 trupa ruse në rajon tashmë janë rrethuar nga forcat ukrainase.

Oleksiy Arestovych tha se rusët ishin kapur në një "rrethim taktik" pranë fshatit Vysokopillya në rajonin Kherson.

Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve Tass ka raportuar se planet për të mbajtur një referendum në Kherson për bashkim me Rusinë, janë duke ecur përpara - me autoritetet që janë duke formuar një komitet zgjedhor.

Kujtojmë se lidhur me realizimin e referendumeve të tilla, ShBA tashmë e ka akuzuar Rusinë se po përgatitet të aneksojë pjesë të Ukrainës.

Rusia e pushtoi Khersonin me relativisht pak rezistencë në fillim të luftës dhe besohet se dështimi i shërbimit të sigurisë të Ukrainës (SBU) për të shkatërruar pikat e kalimit mbi Dnipro përpara se të largoheshin nga qyteti mund të ketë çuar në shkarkimin e Ivan Bakanov nga Zelensky ditën e hënë.

Lajme të ngjashme