Gruaja e Zelenskyt: Lufta ka bërë që djali im të dojë që të bëhet ushtar
Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, thotë se lufta në vendin e saj ka ndikuar që djali i saj 9-vjeçar të dëshirojë që të bëhet ushtar.
Në një intervistë për televizionin amerikan, NBC, zonja Zelenska tha se gjëja e vetme që djali i saj, Kyrylo, dëshiron të bëjë janë artet marciale dhe përdorimi i pushkës.
Bashkëshortja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, po qëndron në Shtetet e Bashkuara, ku ka bërë thirrje për dhurimin e më shumë armëve për Ukrainën.
Duke folur për ndikimin e luftës 5-mujore me Rusinë ndaj djalit të saj, ajo tha: “Para luftës, djali im shkonte në ansamblin e valleve popullore. Luante me piano. E mësoi anglishten.”
Por pas fillimit të luftës, “qartazi, ai dëshiron që të bëhet ushtar”, tha ajo. “Nuk mund ta kthej që të merret me arte dhe shkenca humane”, shtoi zonja e parë e Ukrainës.
Zonja Zelenska, e cila është nënë edhe e vajzës 18-vjeçare, Oleksandra, foli për vështirësitë e fëmijëve dhe prindërve të tjerë gjatë vizitës në ShBA.
Gjatë një fjalimi 15-minutësh në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të mërkurën, ajo paraqiti fotografi dhe video të fëmijëve ukrainas që janë vrarë ose lënduar gjatë luftës.
Në njërën nga fotografitë ishte vajza 4-vjeçare, Liza Dmytriyeva, e cila u vra para disa ditëve nga një sulm ajror në qytetin Vinnytisa.
“Ne duam që secili baba dhe secila nënë të mund t’i thonë fëmijës së tyre: Shko të flesh i qetë. Nuk do të ketë më sulme ajrore, nuk do të ketë më sulme me raketa. A është kjo e tepërt për ta dëshiruar”, tha ajo në fjalim.
“Por, fatkeqësisht, lufta nuk ka përfunduar, terrori vazhdon”, shtoi Zelenska, përcjell Nacionale.
Duke bërë thirrje për më shumë armë dhe sisteme kundërajrore, ajo tha: “Po kërkoj armë, armë që nuk do të përdoreshin për të zhvilluar një luftë në tokën e dikujt tjetër, por për t’i mbrojtur shtëpitë e dikujt dhe të drejtën për t’u zgjuar gjallë nga gjumi në ato shtëpi”, tha gruaja e presidentit ukrainas.

Anëtarët e Kongresit të ShBA-së i kanë përkrahur mjaft shumë kërkesat e Ukrainës për asistencë të sigurisë dhe deri më tani kanë miratuar ndihma me vlerë të reth 8 miliardë dollarëve.
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, zonja Zelenska u takua me presidentin amerikan, Joe Biden, me bashkëshorten e tij, Jill Biden, dhe me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.