Jetoni në Rusi ose vdisni në Ukrainë: Si dhe pse po dërgohen në tokën e pushtuesit refugjatët ukrainas?
Për javë të tëra, Natalya Zadoyanova kishte humbur kontaktet me vëllain e saj më të vogël, Dmitriy, i cili ishte bllokuar në qytetin port të rrethuar ukrainas të Mariupolit.
Forcat ruse kishin bombarduar jetimoren ku ai punonte, dhe ai ishte fshehur me dhjetëra të tjerë në bodrumin e një ndërtese pa dyer dhe dritare. Por më pas, Natalya mori një lajm nga i vëllai.
"Unë jam gjallë", i tha ai asaj. "Unë jam në Rusi."
Dmitriy Zadoyanov po përballej me kapitullin tjetër të shkatërrimit për njerëzit e Mariupolit dhe qyteteve të tjera të pushtuara: Transferimet e dhunshme në Rusi nga vetë kombi që vrau fqinjët e tyre dhe granatoi qytetet e tyre.
Sipas zyrtarëve ukrainas dhe rusë, gati 2 milionë refugjatë ukrainas janë dërguar deri më tani në Rusi. Ukraina, këto udhëtime në tokën armike i portretizon si transferime të detyruara, gjë që konsiderohet një krim lufte. Ndërkohë, Rusia i quan evakuime humanitare të viktimave të luftës që tashmë flasin rusisht dhe janë mirënjohës për një shtëpi të re.

Një hetim i Associated Press i bazuar në dhjetëra intervista ka zbuluar se ndërsa fotografia është më me ngjyra sesa sugjeron qeveria ukrainase, në të vërtetë shumë refugjatë janë detyruar të nisen në një udhëtim surreal në Rusi, ku gjatë rrugës u janë nënshtruar edhe abuzimeve të të drejtave të njeriut e marrjes së dokumenteve, duke mbetur të hutuar se ku janë e ku po shkojnë.
Abuzimet ndaj tyre nuk nisin me një armë në kokë, por me një zgjedhje helmuese: Vdisni në Ukrainë ose jetoni në Rusi. E ata që largohen kalojnë nëpër një sërë pikash të njohura si pika filtrimi, ku trajtimi varion nga marrja në pyetje dhe kërkimet e zhveshjes, deri te të qenit i anashkaluar si kurrë më parë.
Refugjatët i kanë rrëfyer AP-së për një grua të moshuar që ka vdekur në të ftohtë, me trupin e fryrë dhe të mbuluar me mavijosje nga rrahja që kishte përjetuar.
Ata që "kalojnë" filtrimin ftohen të jetojnë në Rusi dhe shpesh u premtohet një pagesë prej rreth 10,000 rubla (170 dollarë) që mund ta marrin ose jo. Ndonjëherë atyre u merren pasaportat ukrainase dhe në vend të tyre u ofrohet mundësia e nënshtetësisë ruse. E ndonjëherë, atyre u bëhet presion edhe për të nënshkruar dokumente që denoncojnë qeverinë dhe ushtrinë ukrainase.

Refugjatët që nuk kanë para ose kontakte në Rusi – sipas llogarive, shumica - mund të shkojnë vetëm atje ku dërgohen, drejt lindjes, madje edhe në nën-Arktik. Më shumë se 1,000 persona janë dërguar aq larg më Khabarovsk dhe Vladivostok, ku sipas njerëzve që folën për AP-në, duhet një udhëtim 10-ditor me tren në atë skaj të Oqeanit Paqësor.
Megjithatë, hetimi i AP-së ka gjetur gjithashtu shenja të mospajtimit të qartë brenda Rusisë ndaj narrativës së qeverisë se ukrainasit po shpëtohen nga nazistët. Pothuajse të gjithë refugjatët që janë intervistuar nga agjencia kanë folur me mirënjohje për rusët që i kanë ndihmuar në heshtje të arratisen përmes një rrejti klandestin, duke u ofruar dokumente, duke u gjetur strehim, duke u blerë biletën e trenit dhe autobusit, duke u shkëmbyer hryvnia ukrainase me rubla ruse dhe madje duke u tërhequr bagazhin e improvizuar që mban gjithçka që ka mbetur nga jeta e tyre e paraluftës.
Bazuar në intervista me 36 ukrainas, kryesisht nga Mariupoli të cilët ishin larguar për në Rusi, përfshirë edhe 11 të tjerë që ndodhen në Estoni, Lituani, Poloni, Gjeorgji, Irlandë, Gjermani dhe Norvegji, hetimi i Associated Press lidhur me këto transferime tani është më i zgjerur.
Në intervista janë marrë edhe vullnetarë të fshehtë rusë, ndërsa janë përdorur edhe pamje video, dokumente ligjore ruse dhe informacione nga mediat shtetërore ruse.
Historia e Zadojanov, 32 vjeç është tipike. I rraskapitur dhe i uritur në një bodrum në Mariupol, ai më në fund pranoi idenë e evakuimit. Rusët i thanë atij se mund të hipte në një autobus ose për në Zaporizhzhia në Ukrainë ose në Rostov-on-Don në Rusi.
Por, ata e gënjyen. Autobusët shkuan vetëm në Rusi.
Gjatë rrugës, autoritetet ruse kontrolluan telefonin e tij dhe e morën në pyetje se pse ishte pagëzuar dhe nëse kishte ndjenja seksuale ndaj një djali në kamp. Ndërsa, një burrë nga televizioni shtetëror rus donte ta dërgonte në Moskë dhe ta paguante për të denigruar ukrainasit, një ofertë që ai e refuzoi.
Njerëzit që mbanin kamera, kërkonin nga fëmijët që të flisnin se si Ukraina po bombardonte qytetarët e saj.
"Ishte 100 për qind një presion taktik," tha Zadoyanov. “Pse fëmijët? Sepse është shumë më e lehtë t'i manipulosh ata.”

Më pas ai, bashkë me pesë fëmijë dhe katër gra u dërguan në stacionin e trenit ku i’u thanë se destinacioni i tyre do të ishte Nizhny Novgorod, edhe më thellë në Rusi, 1300 kilometra nga kufiri ukrainas. Ndërsa, nga treni Zadoyanov e lajmëroi motrën e tij Natalya që ndodhej në Poloni. Në panik, ajo ti tha të zbriste nga treni menjëherë. Zadoyanov tani ndodhet në Tbilisi të Gjeorgjisë.
NJË STRATEGJI E QËLLIMSHME
Transferimi i qindra mijëra njerëzve nga Ukraina është pjesë e një strategjie të qëllimshme dhe sistematike, të përcaktuar në dokumentet e qeverisë ruse.
Një "urdhër masiv emergjent" përshkruan "shpërndarjen" e 100,000 ukrainasve në disa nga rajonet më të largëta dhe më të varfëra të Rusisë. Sipas urdhërit, asnjë nga ta nuk duhej të dërgohej në kryeqytet, Moskë.
Përmes intervistave me refugjatët, raporteve të mediave dhe deklaratave zyrtare Associated Press ka verifikuar se ukrainasit kanë marrë strehim të përkohshëm në dhjetëra qytete ruse, madje disa janë dërguar në një fabrikë kimike të papërdorur.
Një refugjat tjetër, Bohdan Honcharov, i tha AP-së se rreth 50 ukrainas me të cilët ai udhëtoi u dërguan në Siberi, aq larg sa nuk do të kenë mundësi për t'u shpëtuar.
Një grua ukrainase tha gjithashtu se prindërit e saj të moshuar nga Mariupoli u dërguan në Rusi ku u është thënë të transferoheshin në Vladivostok, në anën tjetër të vendit.

E shumë ukrainas qëndrojnë në Rusi sepse, ndërkohë që janë teknikisht të lirë për t'u larguar, nuk kanë ku të shkojnë, nuk kanë para, janë pa dokumente ku nuk ka asnjë mënyrë për të kaluar distancat në një vend të përhapur dy herë më të madh se Shtetet e Bashkuara. E disa kanë frikë se nëse kthehen, Ukraina do t'i ndjekë penalisht për shkuarjen te armiku - një frikë e inkurajuar nga zyrtarët rusë.
Por, ka të tjerë që flasin rusisht, që kanë familjet dhe i mendojnë lidhjet atje si më të forta se lidhjet e tyre me Ukrainën.
Një grua i tha AP-së, se burri i saj ishte rus dhe ajo ndihej më e mirëpritur në Rusi.
Familja e Lyudmila Bolbad u largua nga Mariupoli dhe përfundoi në Taganrog të Rusisë. Familja flet rusisht dhe qyteti i Khabarovsk, gati 10,000 kilometra nga Ukraina, ofronte punë dhe pagesa speciale për t'u zhvendosur në Lindjen e Largët dhe përfundimisht u ofronte shtetësi ruse. Me asgjë për të humbur, familja nisi udhëtimin 9-ditor me tren nëpër disa nga territoret më të shkreta në botë, në një qytet shumë më afër Japonisë sesa Ukrainës.
Bolbad dhe burri i saj gjetën punë në një fabrikë lokale, ashtu siç punonte më parë në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol. Por, shumë pak gjëra kishin shkuar siç ata kishin shpresuar.
Në këmbim të premtimeve për shtetësi ruse, ata dorëzuan pasaportat ukrainase pa hezitim, po më pas zbuluan se pa një dokument të vlefshëm nuk mund të merrnin shtëpi me qera. Ndërkohë, pagesat e premtuara për të blerë shtëpi nuk ju kanë ardhur ende dhe aktualisht ndodhen të bllokuar me qindra të tjerë nga Mariupoli në një hotel të rrënuar me ushqime që janë gati të pangrënshme.

Megjithatë, Bolbad planifikon të qëndrojë në Rusi, sepse mendon se Ukraina do ta etiketonte atë si tradhtare nëse do të kthehej.
"Tani ne jemi këtu ... ne po përpiqemi të kthehemi në një jetë normale disi, për të inkurajuar veten të fillojmë jetën tonë nga e para," tha ajo. “Nëse mbijetuat nga lufta, e meritoni atë dhe duhet të ecni përpara, jo të ndaleni.”
Sipas Oleksandra Matviichuk, kryetare e Qendrës për Liritë Civile në Ukrainë, arsyet e Rusisë për deportimin e ukrainasve nuk janë plotësisht të qarta. Por duket se një nga qëllimet është përdorimi i refugjatëve për propagandë ndaj rusëve duke i bërë që të dëshmojnë kundër Ukrainës.
“Ukrainasit në Federatën Ruse janë jashtëzakonisht të cenueshëm”, tha ajo. "Rusia përpiqet t'i përdorë këta njerëz në një luftë pothuajse ligjore kundër Ukrainës për të mbledhur disa dëshmi nga njerëz që nuk kanë të drejtë të thonë jo sepse kanë frikë për sigurinë e tyre."
Dëbimi i civilëve vendas nga territoret e pushtuara hap gjithashtu rrugën për rusët për t'i zëvendësuar ata me besnikë, siç ishte rasti në Krime, tha Matviichuk. Dhe Rusia mund të dëshirojë që ukrainasit rusisht-folës të popullojnë rajonet e veta të izoluara me ekonomi në rënie.

NDALIMI PËR FILTRIM
Gjatë rrugës për në Rusi, refugjatët merren në pyetje në ndalesa të shumta, në atë që rusët dhe ukrainasit e quajnë "filtrim".
Atyre u merren shenjat e gishtave dhe fotografohen. Disave u hiqen rrobat dhe nën vëzhgim të veçantë vendosen persona me tatuazhe, plagë ose mavijosje.
Refugjatët ukrainas në Rusi ndonjëherë humbasin identitetin e tyre së bashku me shtëpitë e tyre.
Disa i lënë pas dokumentet e tyre ukrainase. Të tjerëve u konfiskohen pasaportat ukrainase dhe u ofrohet shtetësia ruse ose statusi i refugjatit. Shumë prej tyre përfundojnë në harresë pa dokumente dhe vetëm 55,502 persona deri tani kanë marrë azil të përkohshëm. E të tjerët kanë status të pasigurt ligjor në një vend ku ata shpesh shihen si armik.
Së bashku me heqjen dorë nga dokumentet e tyre, refugjatëve ukrainas ndonjëherë u bëhet presion për të nënshkruar dokumente që mbajnë qeverinë ose ushtrinë ukrainase përgjegjëse për luftën.
Por, sipas Tanya Lokshina, autore e një raporti të Human Rights Watch mbi dëbimet e detyruara, shumë të evakuuar nuk e kuptojnë se kanë të drejtë të refuzojnë të nënshkruajnë dokumente dhe se kanë të drejtën për t'u larguar nga Rusia.
“Kur je aty dhe ata kanë fuqinë dhe në thelb je në duart e tyre, nuk e di se çfarë do të ndodhë,” tha Lokshina. "Shumë njerëz nënshkruajnë vetëm sepse kanë frikë."

NDIHMA E PAPRITUR
Për ukrainasit që përpiqen të arratisen nga Rusia, ndihma vjen shpesh nga një burim i papritur: rusët.
Por, vullnetarët që duan ti ndihmojnë përballen me një sërë sfidash. E disa veçse kanë ndaluar përpjekjet për t’i ndihmuar për shkak të kërcënimeve anonime, që përfshijnë goma të prera, simbolin rus Z të pikturuar në të bardhë në xhami dhe mbishkrime në dyer, ku cilësohen si ndihmës "ukro-nazist".
Një tjetër vullnetar rus, i cili komunikoi me Associated Press në kushte anonimiteti, tha se ata po përballën me pengesa logjistike dhe burokratike të hedhura nga qeveria ruse, të tilla si dokumentet e udhëtimit të humbura ose të marra nga administratorët.
E , largimi nga Rusia shpesh varet nga fati dhe tekat e një zyrtari. Disa roje kufitare ruse i lejojnë njerëzit të kalojnë vetëm me identitetin e tyre kombëtar ukrainas e të tjerë këmbëngulin për një pasaportë ndërkombëtare.







