Djaloshi ukrainas u mbajt tre muaj peng nga rusët: I dëgjoja të burgosurit duke u torturuar - NACIONALE

Djaloshi ukrainas u mbajt tre muaj peng nga rusët: I dëgjoja të burgosurit duke u torturuar

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një djalë 16-vjeçar ukrainas ka treguar se si është mbajtur 90 ditë peng nga ushtarët rusë dhe si i ka dëgjuar të burgosurit e tjerë duke u torturuar në një qeli tjetër.

Vladislav Buryak, që ishte ndarë nga familja më 8 prill në një pikë kontrolli gjatë përpjekjeve për t’u larguar nga qyteti Mariupol, u lirua pas bisedimeve të gjata mes babait të tij, Oleg-ut, që punon si zyrtar lokal, dhe ushtarëve rusë, që donin ta shkëmbenin të riun me një individ për të cilin kishte interesim ushtria ruse.

Rrëfimi i Vladislav-it për kohën e tij në mbajtje është përshkrim i marrjes në pyetje me dhunë, përfshirë rrahjet brutale, dhe i konfirmon raportimet e mëhershme për keqtrajtimin e të ndaluarve nga forcat ruse dhe separatistët pro-rusë, shkruan “The Guardian”.

Ai është njëri nga rreth 500 rastet e pengjeve civile, informatat e të cilëve janë grumbulluar nga Qendra për Liri Civile në Ukrainë, përfshirë disa të rinj të tjerë, ndonëse organizata thotë se shifra e personave që janë mbajtur peng mund të jetë vetëm maja e iceberg-ut.

Në një intervistë për gazetën “The Guardian”, i riu ukrainas rrëfeu për tmerrin e tij të gjatë dhe se si ishte nxjerrë nga autokolona.

“Ishim larguar nga Mariupoli për në Zaporizhia në orën 9 të mëngjesit”, tha ai, i ulur pranë babait. “Rreth orës 11, u ndalëm në një pikë kontrolli, ku ushtarët rusë filluan që t’i kontrollonin dokumentet”, shtoi ai.

“Më pyetën nëse e kisha incizuar pikën e kontrollit dhe kërkuan nga unë që t’ua jepja telefonin tim. Pastaj gjetën një video nga një llogari ukrainase në Telegram ku ushtarët rusë flisnin për atë se si nuk donin të luftonin”, rrëfeu djaloshi.

“Kjo i zemëroi dhe një ushtar me mitraloz ma drejtoi armën dhe tha se duhej të shkoja pas tij. Ai më dërgoi te një tendë ku ata po i “filtronin” njerëzit që po largoheshin. Në të moment, zbuluan se unë isha djali i një zyrtari lokal dhe i vlefshëm si peng”, tha më tej i riu ukrainas.

Vladislav-i tha se u dërgua në një vend që po përdorej si burg në Vasylivka, ku u mbajt mbi 40 ditë në një qeli të vetme para se të dërgohej në një hotel për muajin e fundit në mbajtje.

“Më kërkonin që ta pastroja dyshemenë e dhomës që e përdornin për marrje në pyetje, për t’i pastruar dhomat e oficerëve dhe për ta hedhur bërllokun. Qelia ku u mbajta unë, ishte pak metra larg vendit ku ata i merrnin njerëzit në pyetje. Mund t’i dëgjoja njerëzit duke bërtitur dhe, kur e pastroja dhomën, shihja shenja gjaku, sepse mund të endesha, kur isha duke i pastruar dhomat, nganjëherë kisha mundësi që të shihja se çfarë u ka ndodhur njerëzve dhe ata nganjëherë mund të flisnin me mua nga një minutë ose kështu diçka, kur rojat nuk ishin duke shikuar”, e vazhdoi rrëfimin adoleshenti ukrainas.

“Njerëzit rraheshin dhe torturoheshin me elektroshok. Nëse ndokush nuk thoshte asgjë, torturimi vazhdonte, nganjëherë disa orë”, shtoi ai.

“Pashë njerëz pastaj dhe fytyrat e tyre ishin të mavijosura. Isha vërtet i frikësuar se do të më rrihnin edhe mua, prandaj mundohesha që të qëndroj pa emocione. Askush asnjëherë nuk më tha se pse po më mbanin, por ma merr mendja se po më mbanin për të më shkëmbyer”, tha djaloshi.

Përderisa i riu po mbahej peng, babai i tij po zhvillonte biseda me rusët në përpjekje për ta siguruar lirimin e djalit. “Së pari, më telefonuan një ditë pas marrjes së Vladislav-it, më 9 prill. Më tha: Unë e kam djalin tënd. Më duhet ky person për shkëmbim”. Ishte e qartë se ai ishte peng, por unë gjithashtu kuptova se ai ishte i vlefshëm për ta, prandaj ndoshta nuk do ta lëndonin”, tha babai i të riut.

Ky rrëfim i konfirmon raportimet e tjera për torturime, përfshirë një raport të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, në të cilin thuhet se janë gjetur dëshmi të besueshme për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat ruse gjatë pushtimit të Ukrainës./Përktheu: Nacionale

Lajme të ngjashme