Spiunët kibernetikë rusë me fushatë të re hakerimi, synojnë vendet e NATO-s
Spiunët kibernetikë të dyshuar se punojnë për shërbimin e inteligjencës së jashtme të Rusisë (SVR) po synojnë vendet e NATO-s në një fushatë hakerimi të fundit, sipas një raporti të ri të industrisë.
Kompania e sigurisë kibernetike Palo Alto, tha se hakerët janë duke përdorur shërbimet e ruajtjes në internet si Google Drive dhe Dropbox për të shmangur zbulimin. Ndërsa njoftoi se, përpjekjet për hakerim kanë përfshirë “email phishing” që përmbajnë axhenda për takime me ambasadorë.
Një zëdhënës i Dropbox tha për Sky News se: "Ne mund të konfirmojmë se kemi punuar me partnerët tanë të industrisë dhe studiuesit për këtë çështje dhe kemi çaktivizuar menjëherë llogaritë e përdoruesve."
Palo Alto vlerësoi se sulmuesit janë pjesë e së njëjtës organizatë të fajësuar për shkeljen e SolarWinds në vitin 2020, e cila u dha spiunëve rusë akses në rrjetet e të paktën nëntë agjencive qeveritare amerikane.
Suksesi i atij operacioni spiunimi - i cili u zbulua vetëm kur hakerët vendosën të vidhnin mjete nga kompania amerikane e sigurisë kibernetike Mandiant - shkaktoi një përgjigje të rëndësishme nga autoritetet amerikane.
Kjo bëri që ShBA të shpallte sanksione të reja ndaj Rusisë dhe zyrtarëve të saj, megjithëse zëdhënësit e qeverisë ruse mohuan vazhdimisht se ishin fajtorë.
Në atë kohë, presidenti i Microsoft, Brad Smith e quajti sulmin e zinxhirit të furnizimit si "sulmi më i madh dhe më i sofistikuar që bota ka parë ndonjëherë" megjithëse disa komentues e kritikuan këtë përshkrim.
Ndërsa, ndryshe nga grupet e hakerave të lidhura me GRU, agjencia e inteligjencës ushtarake të Rusisë, SVR konsiderohet se kryen operacione më të fshehta.
Agjencia e Infrastrukturës së Sigurisë Kibernetike të ShBA-së tha se hakerët e SVR kanë "dëshmuar durim, siguri operacionale dhe tregti komplekse" në sulmet e mëparshme.
Kur u zbulua se hakerat e GRU kishin shkelur Komitetin Kombëtar Demokratik pas zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA, studiuesit zbuluan se SVR kishte qenë gjithashtu i pranishëm në ato rrjete. Por, dukej se dy organizatat nuk kishin qenë në dijeni të përpjekjeve të njëra-tjetrës.

