Bideni thotë se ShBA-ja nuk do të largohet nga Lindja e Mesme - NACIONALE

Bideni thotë se ShBA-ja nuk do të largohet nga Lindja e Mesme

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Joe Biden, duke folur në një samit të udhëheqësve të vendeve arabe, tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen nga Lindja e Mesme, kur po mundohet që të garantojë stabilitet në një pjesë të brishtë të botës dhe ta fuqizojë furnizimin global me naftë për ta luftuar rritjen e çmimit të gazit.

Komentet e tij, të bëra në Këshillin e Gjirit për Bashkëpunim, kur po e përmbyll vizitën 4-ditore në Lindjen e Mesme vijnë në kohën kur rajoni po përgatitet për një ballafaqim të mundshëm me Iranin, shkruan "Associated Press".

“Ne nuk do të largohemi që të lëmë një boshllëk të mbushet nga Kina, Rusia ose Irani. Ne do të synojmë që ta shfrytëzojmë këtë moment me lidership amerikan aktiv dhe me parime”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Ndonëse forcat amerikane vazhdojnë që të vënë në shënjestër terroristë në rajon dhe mbeten të vendosura në baza në mbarë Lindjen e Mesme, Bideni la të kuptohet se është duke lënë prapa një periudhë pas pushtimit të Irakut dhe Afganistanit.

“Sot, jam krenar që mund të them se epokat e luftërave tokësore në rajon, luftërave që përfshinë shifra të mëdha të forcave amerikane, nuk janë duke u zhvilluar”, tha ai.

Presidenti amerikan u bëri thirrje homologëve të tij, shumë prej të cilëve udhëheqin qeveri shtypëse, që t’i garantojnë të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e grave, dhe t’i lejojnë qytetarët e tyre që të flasin haptazi.

“E ardhmja do të fitohet nga vendet që e lëshojnë potencialin e plotë të popullsive të tyre”, tha ai, përfshirë lejimin e njerëzve që “t’i pyesin dhe t’i kritikojnë udhëheqësit pa frikën e hakmarrjes”.

Para fjalimit, presidenti amerikan e kaloi mëngjesin duke u takuar individualisht me udhëheqësit e Irakut, Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, me disa prej të cilëve nuk ishte takuar kurrë më parë.

Bideni e ftoi për vizitë në Shtëpinë e Bardhë Mohammed bin Zayed al Nahyan-in, duke thënë se ai pret “një periudhë tjetër të bashkëpunimit të fuqishëm e në rritje” mes dy vendeve.

Pjesëmarrja e Bidenit në samitin e Këshillit të Gjirit për Bashkëpunim erdhi pas takimit me princin e Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman./Nacionale

Lajme të ngjashme