Biden në Arabinë Saudite, takimi i rëndësishëm me Princin e Kurorës nis me "grusht"
Takimi vendimtar për të riparuar një nga marrëdhëniet diplomatike më të rëndësishme në botë filloi të premten në një mënyrë jo shumë të ngrohtë, ndërsa Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman mirëpriti Presidentin e SHBA Joe Biden në një pallat mbretëror.
Takimi i parë, i kapur nga televizioni saudit, tregoi Biden duke dalë nga limuzina e tij presidenciale në Jeddah për një vizitë që ka për synim të rivendosë partneritetin e gjatë të vendeve.
Në këtë takim, u panë shumë pak prova të ndonjë ngrohtësie mes liderëve, nuk kishte as buzqeshje e as shtrëngim duarsh siç ndodh mes liderëve të tjerë, veç një përshëndetje me “grusht”.
Kujtojmë se, deri më tani Biden kishte refuzuar të fliste me Princin Mohammed, trashëgimtarin e supozuar të fronit që aktualisht mbahet nga babai i tij, Mbreti Salman. Biden ka kritikuar ashpër mbretërinë e pasur me naftë për abuzimet e të drejtave të njeriut, veçanërisht për vrasjen e Jamal Khashoggi, një gazetar me bazë në ShBA.
Por këto shqetësime që atëherë janë eklipsuar edhe nga sfida të tjera, duke përfshirë rritjen e çmimeve të gazit dhe agresionin iranian në Lindjen e Mesme. Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite është duke kërkuar të forcojë marrëdhëniet e saj të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe është në kërkim të investimeve për të transformuar ekonominë e saj në një ekonomi më pak të varur nga nafta.
Sauditët e pritën Biden në aeroportin e Jeddah, por nuk kishte asnjë ceremoni siç ndodhi në vizitën e Biden në Izrael.
Megjithatë, vizita e Biden tashmë shihet si një fitore për Princin Mohammed, pasi e ardhmja e rajonit, duke përfshirë mundësinë e lidhjeve më të ngushta midis Arabisë Saudite dhe Izraelit, mund të varet nga marrëdhënia midis presidentit 79-vjeçar të ShBA-së dhe 36-vjeçarit mbretëror.
Takimi me Biden mund t'i japë një legjitimitet më të madh planeve të princit të kurorës dhe rrugës së tij drejt fronit.
Biden mbërriti në qytetin port të Detit të Kuq, Jeddah, në ditën e tretë të vizitës së tij katër-ditore në Lindjen e Mesme. Ai ka kaluar dy ditët e para duke u takuar me zyrtarët izraelitë dhe përpara takimit në Arabinë Saudite, ditën e premte Biden ka udhëtuar për në Bregun Perëndimor, për t'u takuar me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas.
Përpara vizitës së Biden në vend, sauditët ndërmorën një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, duke njoftuar se do të hapin hapësirën ajrore për "të gjithë transportuesit ajror", duke sinjalizuar fundin e ndalimeve të rrepta për fluturimet izraelite mbi territorin e vendit.
Presidenti amerikan këtë vendim e përshëndeti si "një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një rajoni më të integruar dhe më të qëndrueshëm të Lindjes së Mesme", duke shtuar se vendimi "mund të ndihmojë drejt integrimit të mëtejshëm të Izraelit në rajon, duke përfshirë Arabinë Saudite".
