Biden në Palestinë: Populli palestinez e meriton shtetin e vet të pavarur dhe sovran
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në konferencën për gazetarë me homologun palestinez, Mahmoud Abbas, në kuadër të vizitës në Bregun Perëndimor, ka thënë se populli palestinez e meriton shtetin e vet të pavarur dhe sovran.
“Populli palestinez e meriton shtetin e vet, që është i pavarur, sovran, funksional dhe i ngjitur”, tha presidenti amerikan.
“Kur po qëndron sot me ju, tash si president i Shteteve të Bashkuara, përkushtimi im për atë qëllim – zgjidhjen me dy shtete – nuk ka ndryshuar gjatë tërë këtyre viteve”, shtoi ai.
“Populli palestinez është duke u lënduar tash, thjesht mund ta ndieni. Pikëllimi juaj, zemërimi juaj... edhe Shtetet e Bashkuara e ndiejnë këtë, por ne kurrë nuk kemi hequr dorë nga puna për paqe”, tha më tej shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Në anën tjetër, homologu palestinez, Mahmoud Abbas, tha se i pret hapjen e konsullatës amerikane në Jerusalemin Lindor, që është mbyllur nga administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, dhe ndërprerjen e ndërtimit të vendbanimeve izraelite.
Qasja e Bidenit ndaj palestinezëve
Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka propozuar 100 milionë dollarë, me kusht që të miratohen nga Kongresi, për spitalet në Jerusalemin lindor, që u shërbejnë palestinezëve. 15 milionë dollarë janë ndarë për asistencë humanitare, ndërsa 7.2 milionë për programet për promovimin e bashkëpunimit mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Qasja e tij, e quajtur shpesh “paqe ekonomike”, ka kufizime. Aaron David Miller, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit, tha: “Nuk mund të blesh zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez. Nuk funksionon, sepse kjo nuk e drejton konfliktin.”
As palestinezët nuk janë të kënaqur. Dhjetëra u grumbulluan të enjten në Bregun Perëndimor për të protestuar kundër presidentit amerikan. Protesta priten edhe të premten.
“Bideni po mundohet që ta margjinalizojë çështjen palestineze. Nëse ai nuk i lejon palestinezët që t’i kenë të drejtat e tyre, atëherë po e ndihmon Izraelin që të vrasë dhe t’i japë fund mundësisë së fundit për paqe”, tha Mustafa Barghouti, aktivist veteran palestinez.
Në këtë pikë, synimi palestinez për shtet të pavarur në Jerusalemin lindor, Bregun Perëndimor e Gaza – territore që Izraeli i pushtoi në luftën e vitit 1967 – duket më i largët se kurrë më parë.
Izraeli është duke i zgjeruar vendbanimet në Jerusalemin e aneksuar lindor dhe në Bregun Perëndimor, ku banojnë rreth 700.000 ardhacakë çifutë. Palestinezët i shohin këto vendbanime si pengesë kryesore për arritjen e paqes, sepse ato e “gdhendin” tokën në të cilën do të themelohej shteti palestinez. Shumica e botës i cilëson këto vendbanime të paligjshme.
