Bideni ndan 100 milionë dollarë për spitalet palestineze, por pritet me protestë - NACIONALE

Bideni ndan 100 milionë dollarë për spitalet palestineze, por pritet me protestë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar për ndarjen e 100 milionë dollarëve si asistencë e ShBA-së për spitalet e Jerusalemit lindor që shërbejnë si shtyllë e kujdesit shëndetësor për palestinezët.

Ai foli të premten gjatë një vizite në spitalin “Augusta Victoria”, që ofroj kujdes të avancuar shëndetësor, përfshirë trajtimin me rrezatim për pacientët me kancer dhe dializën pediatrike, për palestinezët në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Gaza.

Ndarja e këtyre fondeve duhet të miratohet edhe nga Kongresi dhe paratë do të jepeshin gjatë disa vjetëve, shkruan "Associated Press".

Ndihma e administratës së Bidenit u ofrua pas heqjes së 25 milionë dollarëve të ndihmave për spitalet nga administrata e ish-presidentit Trump si pjesë e një pezullimi më të gjerë të ndihmave për palestinezët. Që nga ardhja në pushtet, Bideni ka kthyer një pjesë të madhe të këtyre ndihmave, por nuk ka shënuar përparim për rifillimin e procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës, që është bllokuar para më shumë se një dekade.

Dr. Fadi Atrash, drejtor i spitalit, e quajti vizitën e Bidenit “shpallje të guximshme të përkrahjes për popullin palestinez”.

Presidenti amerikan pritet që të takohet me udhëheqësit palestinezë në Bregun e pushtuar Perëndimor më vonë të premten.

Gjashtë spitalet e Jerusalemit lindor, që e simbolizojnë praninë palestineze në qytet, janë ballafaquar me krizë të fondeve viteve të fundit, pasi Autoriteti Palestinez ka pasur vështirësi për ta paguar trajtimin e avancuar shëndetësor për palestinezët.

Ndërkohë një grup i vogël i protestuesve u mblodhën të premten në Jerusalemin lindor para vizitës së presidentit amerikan në spital.

Protestuesit mbajtën në duar flamuj palestinezë dhe fotografi të gazetares palestinezo-amerikane, Shireen Abu Akleh, e cila u vra në maj gjatë mbulimit të një bastisjeje izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Presidenti amerikan pritet të njoftojë për ndarjen e 300 milionë dollarëve ndihmë financiare për palestinezët.

Si pjesë e vizitës në Lindjen e Mesme, shefi i Shtëpisë së Bardhë do ta vizitojë edhe Arabinë Saudite dhe pritet të takohet me princin Mohammed bin Salman, pavarësisht nga kritikat për dyshimin se princi e kishte miratuar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Lajme të ngjashme