Bideni niset drejt Bregut Perëndimor me pak gjëra për t’u ofruar palestinezëve
Kur presidenti amerikan, Joe Biden, të shkojë të premten në Bregun e pushtuar Perëndimor për bisedime me udhëheqësit palestinezë, ai do të ketë pak gjëra për të ofruar përtej parave amerikane me qëllim të blerjes së qetësisë.
Ai pritet që ta njoftojë ndarjen e 316 milionë dollarëve si asistencë financiare – rreth një e treta e kësaj shume duhet të miratohet nga Kongresi – dhe ta përcjellë zotimin e Izraelit për modernizimin e qasjes së palestinezëve në internet.
Ndonëse Bideni do ta përsërisë përkrahjen e tij për një shtet të pavarur palestinez, nuk ka rrugë të qartë për një të tillë. Rundi i fundit i bisedimeve serioze të paqes dështoi para më shumë se një dekade, duke lënë miliona palestinezë duke jetuar nën pushtetin ushtarak izraelit, shkruan "Associated Press".
Qeveria izraelite në largim ka bërë hapa për t’i përmirësuar kushtet ekonomike në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Sidoqoftë, kryeministri në detyrë, Yair Lapid, nuk ka mandat për të zhvilluar bisedime të paqes, ndërsa në zgjedhjet e nëntorit mund të vijë në pushtet një qeveri djathtiste, që është kundër themelimit të shtetit palestinez.

Presidenti amerikan pranoi këtë javë se përderisa e përkrah zgjidhjen me dy shtete, një gjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen afatshkurtër. ShBA-ja gjithashtu duket se e ka pranuar humbjen në përpjekjen më modeste për ta rihapur konsullatën në Jerusalem, që u shërbente palestinezëve dhe ishte mbyllur nga ish-presidenti, Donald Trump, kur e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Udhëheqësit palestinezë gjithashtu kanë frikë se po minohen nga Akordet e Abrahamit, mjet diplomatik për vendet arabe që t’i normalizojnë raportet me Izraelin pavarësisht pushtimit të vazhdueshëm. Bideni, që do ta vizitojë Arabinë Saudite për të marrë pjesë në një samit me udhëheqësit arabë, shpreson që ta zgjerojë këtë proces, që filloi gjatë pushtetit të administratës Trump.
Bideni dhe kryeministri izraelit thanë se e përkrahin zgjidhjen me dy shtete për t’u siguruar që Izraeli të mbetet shtet me shumicë çifute, por presidenti amerikan pritet që të njoftoj diçka përtej asistencës financiare, përfshirë 201 milionë dollarë për agjencinë e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka propozuar 100 milionë dollarë, me kusht që të miratohen nga Kongresi, për spitalet në Jerusalemin lindor, që u shërbejnë palestinezëve. 15 milionë dollarë janë ndarë për asistencë humanitare, ndërsa 7.2 milionë për programet për promovimin e bashkëpunimit mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Qasja e tij, e quajtur shpesh “paqe ekonomike”, ka kufizime. Aaron David Miller, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit, tha: “Nuk mund të blesh zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez. Nuk funksionon, sepse kjo nuk e drejton konfliktin.”
As palestinezët nuk janë të kënaqur. Dhjetëra u grumbulluan të enjten në Bregun Perëndimor për të protestuar kundër presidentit amerikan. Protesta priten edhe të premten.
“Bideni po mundohet që ta margjinalizojë çështjen palestineze. Nëse ai nuk i lejon palestinezët që t’i kenë të drejtat e tyre, atëherë po e ndihmon Izraelin që të vrasë dhe t’i japë fund mundësisë së fundit për paqe”, tha Mustafa Barghouti, aktivist veteran palestinez.
Në këtë pikë, synimi palestinez për shtet të pavarur në Jerusalemin lindor, Bregun Perëndimor e Gaza – territore që Izraeli i pushtoi në luftën e vitit 1967 – duket më i largët se kurrë më parë.
Izraeli është duke i zgjeruar vendbanimet në Jerusalemin e aneksuar lindor dhe në Bregun Perëndimor, ku banojnë rreth 700.000 ardhacakë çifutë. Palestinezët i shohin këto vendbanime si pengesë kryesore për arritjen e paqes, sepse ato e “gdhendin” tokën në të cilën do të themelohej shteti palestinez. Shumica e botës i cilëson këto vendbanime të paligjshme.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli