Çfarë do të thonë humbjet e Rusisë në Ukrainë për Putinin?
Pas gjashtë muajsh lufte në Ukrainë, hapat e ardhshëm të presidentit rus Vladimir Putin, nuk dihen ende.
Normalisht mund të pritej që programi kryesor javor i lajmeve i televizionit shtetëror rus të trumbetojë sukseset e Kremlinit në Ukrainë, por sipas BBC-së, edicioni i djeshëm është hapur me një pranim të rrallë për tërheqje.
“Në vijën e parë të operacionit special në Ukrainë, kjo ka qenë java më e vështirë deri më tani”, është shprehur folësi i lajmeve Dmitry Kiselev.
"Ishte veçanërisht e vështirë përgjatë frontit të Kharkiv, ku pas një sulmi nga forcat armike që ishin më të mëdha se tonat, trupat ruse u detyruan të largoheshin nga qytetet që kishin çliruar më parë."
Kujtojmë se, Moska i kishte pushtuar ato zona muaj më parë, por pas një kundër-ofensivë të rrufeshme nga ushtria ukrainase, ushtria ruse ka humbur një territor të konsiderueshëm në veri-lindje të Ukrainës.
Megjithatë, media shtetërore ruse, nuk e thotë zyrtarisht se në rajonin e Kharkiv ka ndodhur një “tërheqje”.
“Ministria ruse e mbrojtjes hodhi poshtë thashethemet se trupat ruse janë larguar të turpëruar nga Balakliya, Kupiansk dhe Izyum”, shkruhej në botimin e fundit të gazetës qeveritare Rossiyskaya Gazeta. "Ata nuk ikën. Ky ishte një rigrupim i planifikuar paraprakisht."
Ndërkohë, në tabloidin Moskovsky Komsomolets, një analist ushtarak kishte një pikëpamje më ndryshe:
"Tashmë është e qartë se ne e nënvlerësuam armikun. Forcave ruse iu desh shumë kohë për të reaguar dhe kolapsi erdhi... Si rezultat, ne pësuam një disfatë dhe u përpoqëm të minimizonim humbjeT duke tërhequr trupat tona në mënyrë që ata të mos rrethoheshin”, shkruante ky tabloid.
Kanalet pro-ruse të mediave si dhe blogerët rusë, për këtë “humbje” kanë akuzuar me zemërim, ushtrinë ruse për gabime.
E njëlloj ka vepruar edhe lideri çeçen, besnik i Putinit, Ramzan Kadyrov.
"Nëse sot ose nesër nuk bëhen ndryshime në strategji," paralajmëroi z. Kadyrov, "do të detyrohem të flas me udhëheqjen e ministrisë së Mbrojtjes dhe udhëheqjen e vendit për t'u shpjeguar atyre situatën reale në terren. Është një situatë shumë interesante.”
Analizë e Steve Rosenberg, BBC.
Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që kur Vladimir Putin urdhëroi një pushtim të plotë të Ukrainës. Në ditët që pasuan, mbaj mend politikanë, komentues dhe analistë rusë në TV, që parashikonin se ai që Kremlini e quan "operacioni i tij special ushtarak" do të përfundonte brenda disa ditësh; se populli ukrainas do t'i përshëndeste trupat ruse si çlirimtarë dhe se qeveria e Ukrainës do të shembet si një paketë letrash.
Nuk ndodhi.
Në vend të kësaj, më shumë se gjashtë muaj më vonë, ushtria ruse ka humbur terren.
Pra, këtu është një pyetje kyçe: a do të ketë kjo pasoja politike për Vladimir Putin?
Në fund të fundit, për më shumë se 20 vjet, Putin ka gëzuar një reputacion si fitues brenda elitës ruse; sepse gjithmonë arrin të dalë nga pikat më të ngushta; me pak fjalë, i pathyeshëm.
Por, kjo ndryshoi pas 24 shkurtit.
Gjashtë muajt e fundit sugjerojnë se vendimi i presidentit Putin për të pushtuar Ukrainën ishte një llogaritje e gabuar e madhe. Në pamundësi për të siguruar një fitore të shpejtë, Rusia u zhyt në një ofensivë të gjatë e të përgjakshme duke pësuar një sërë humbjesh të turpshme.
E kur atmosfera e pathyeshmërisë e një lideri autoritar zbehet, kjo mund të shkaktojë probleme për liderin e lartpërmendur. Historia e Rusisë do ta njohë Vladimir Putinin, por kjo gjë nuk ka përfunduar mirë për liderët e kaluar rusë të cilët kanë humbur.
Humbja e Rusisë nga Japonia çoi në Revolucionin e parë Rus të vitit 1905. Ndërsa, dështimet ushtarake në Luftën e Parë Botërore ndezën Revolucionin e 1917 dhe fundin e Carit.
Megjithatë, publikisht presidenti Putin nuk ka ndërmend të përfundojë si humbës.
Të hënën, zëdhënësi i tij Dmitry Peskov u tha gazetarëve: "Operacioni special ushtarak rus vazhdon dhe do të vazhdojë derisa të përmbushen të gjitha detyrat që ishin vendosur fillimisht".
E kjo na çon në pyetjen tjetër kryesore: çfarë do të bëjë më pas Putini?
Do të jetë e vështirë të gjesh dikë që e di se çfarë po mendon dhe planifikon Vladimir Putin. Shumë mund të varet nga sa i saktë është informacioni që ai merr nga shefat e tij ushtarakë dhe të inteligjencës.
Por janë dy gjëra që ne i dimë: presidenti rus rrallë pranon se ka bërë gabime dhe ai rrallë kthehet prapa.
Nga sa thonë mediat shtetërore ruse, tashmë po shohim shenja se dështimet në fushën e betejës po i atribuohen mbështetjes perëndimore për Ukrainëns.
“Kiev, i mbështetur nga NATO, nisi një kundërofensivë”, deklaroi televizioni shtetëror rus.
Ekziston një pyetje më e pakëndshme që qëndron në sfond prej muajsh: nëse ai nuk mund të arrijë fitoren me armë konvencionale, a do të mendonte Putin përdorimin e armëve bërthamore?
Vetëm pak ditë më parë, shefi ushtarak i Ukrainës, Valeriy Zaluzhnyi, paralajmëroi duke thënë:"Ka një kërcënim të drejtpërdrejtë të përdorimit, në rrethana të caktuara, të armëve taktike bërthamore nga forcat e armatosura ruse".
Për momentin, nuk ka shenja të hapura paniku në Kremlin. Televizioni shtetëror rus po tingëllon më pozitiv. Ai ka përshkruar sulmet me raketa ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës si "një pikë kthese në operacionin special".
Sa i përket liderit të Kremlinit, të shtunën e kaluar - ndërsa raportet vinin nga Ukraina se Rusia po humbte territorin - përsëri në Moskë, një Vladimir Putin dukej me pamje të relaksuar duke inauguruar një rrotë të re Ferris, më e larta në Evropë.
Duket se presidenti rus ende beson se, ashtu si Big Wheel e re e Moskës, "operacioni i tij special" do të kthehet në favor të tij.





