Ramzan Kadyrov kritikon performancën e ushtrisë ruse: Putini mund të mos jetë në dijeni
Ramzan Kadyrov, lideri i Çeçenisë i emëruar nga Kremlini, ka kritikuar udhëheqjen e ushtrisë ruse pasi duket se është kapur në befasi nga lufta e Ukrainës në veri-lindje të vendit.
Në shenjë se Kremlini mund të përballet me pasoja serioze për humbjen e territorit që administratat pushtuese ruse kishin deklaruar vazhdimisht se planifikonin ta mbanin “përgjithmonë”, Kadyrov sugjeroi gjithashtu se Vladimir Putin mund të mos ishte në dijeni të gjendjes reale të punëve.
“Ata kanë bërë gabime dhe mendoj se do të nxjerrin mësimet e nevojshme”, tha Kadyrov në një mesazh të postuar në kanalin e tij Telegram të dielën.
“Nëse sot apo nesër nuk bëhen ndryshime në strategji, unë do të detyrohem të flas me udhëheqjen e ministrisë së Mbrojtjes dhe me udhëheqjen e vendit për t'u shpjeguar situatën reale në terren. Është një situatë shumë interesante. Është befasuese, do të thosha," u shpreh më tej Kadyrov, një ish-rebel i kthyer në aleat të Kremlinit që sundon Çeçeninë - një republikë ruse në Kaukaz.
Që nga pushtimi në shkurt, Kremlini është përqendruar në heshtjen e zërave liberalë që kritikojnë luftën, por ndërsa gjërat po përkeqësohen në fushën e betejës, Putini përballet me një dhimbje koke se çfarë të bëjë me ish nxitësit që duan që Rusia të angazhojë më shumë forca në luftë për të kthyer valën.
Kujtojmë se në përpjekjet ushtarake të Rusisë, kanë marrë pjesë edhe shumë njësi nga Çeçenia, dhe ndërsa Kadyrov në dukje është hiper-besnik ndaj Moskës, ai është një nga figurat e pakta politike ruse, mesazhet e të cilit Kremlini nuk i kontrollon plotësisht.

Tani të gjithë syta janë tek mënyra se si Putini do të reagojë ndaj tërheqjes. Ai më parë ka fshirë pretendimet se ka bërë një llogaritje të gabuar në shkurt, duke menduar se ushtria ruse mund të pushtonte Ukrainën brenda pak ditësh.
Në një paraqitje të fundit të tij, lideri rus tha se Rusia nuk “kishte humbur asgjë” gjatë luftës, por humbjet e fundit mund të jenë më të vështira për t’i shitur popullsisë ruse.
