Ukraina vazhdon përparimet në Kharkiv, ngre flamurin në zonat afër kufirit rus - NACIONALE

Ukraina vazhdon përparimet në Kharkiv, ngre flamurin në zonat afër kufirit rus

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Zyrtarët lokalë në rajonin e Kharkiv thonë se flamuri ukrainas është ngritur në vendbanimet afër kufirit rus, duke konfirmuar tërheqjen e vazhdueshme të forcave ruse në zonë.

Oleksandr Kulik, një zyrtar në Derhachi në verilindje të qytetit të Kharkiv, tha se flamuri ukrainas ishte ngritur nga banorët lokalë në qytetin e Kozacha Lopan.

Kozacha Lopan ishte pushtuar nga rusët që nga marsi dhe ishte një qendër administrative për autoritetet pushtuese. Vendi ndodhet pesë kilometra larg kufirit rus dhe është shkatërruar shumë nga konflikti.

Pamje të tjera të shpërndara në mediat sociale treguan edhe banorët e Tokarivka, duke ngritur flamurin ukrainas – vend pranë kufirit rus.

Ndërsa, Viktoriya Kolodochka, kreu i distriktit Tokarivka, tha të dielën për CNN se : "Fshati u de-okupua këtë mëngjes. Njerëzit dëgjuan zhurmën e pajisjeve ushtarake ruse. Rusët filluan të mblidheshin vetë në mëngjes dhe filluan të ikin."

Kolodochka, ka bërë të ditur se rusët kanë lënë pas shumë municione. Duke folur për CNN ajo tregoi edhe për muajt nën pushtim, të cilët i përshkroi si “shumë të frikshëm”.

Ajo tha se trupat pushtuese ishin nga milicia Popullore e Luhanskut, të cilët sipas saj silleshin si gangsterë.

"Ata i çuan njerëzit në bodrumin e shkollës, i rrahën, i goditën me rrymë, i detyruan të hapnin llogore, i detyruan të jepnin informacione për njerëzit që punonin në organet shtetërore të Ukrainës. Por ata nuk vranë askënd", tha ajo për CNN.

Kolodochka tha se nuk kishte pasur ndihmë humanitare deri në gusht, kur forcat pushtuese siguruan pak sheqer dhe miell. Ajo tha se njerëzit mbijetonin kryesisht me prodhimet e tyre të kopshtit.

Duke folur për ata që kishin vdekur gjatë okupimit, Kolodochka tha se shumë njerëz janë varrosur në oborret e tyre.

Ajo poashtu shtoi se ka ende pasiguri të madhe se çfarë do të ndodhë. "Njerëzit janë ende të frikësuar. A do të ndalojnë të shtënat? A është e vërtetë që rusët janë larguar? Apo jo? Ata po e presin kaq shumë ushtrinë ukrainase."

Lajme të ngjashme