Franca drejt zgjedhjeve presidenciale, Macron përfundon dy mandate
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po i afrohet përfundimit të mandatit të tij të dytë në krye të shtetit francez, ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 18 prill 2027, ndërsa balotazhi është caktuar për 2 maj 2027, konfirmoi një burim për Le Monde të mërkurën, më 1 korrik.
Sipas Kushtetutës së Francës, zgjedhjet presidenciale duhet të zhvillohen midis 20 dhe 35 ditëve para përfundimit të mandatit të presidentit në detyrë.
Emmanuel Macron e nisi mandatin e tij të dytë pesëvjeçar më 14 maj 2022. Në përputhje me Kushtetutën franceze, ai nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi, pasi ka shërbyer dy mandate të njëpasnjëshme.
Ndërkohë, partia anti-imigracion Tubimi Kombëtar, e udhëhequr nga Marine Le Pen, i konsideron zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 si mundësinë më të mirë deri më tani për të ardhur në pushtet.
Sondazhet e deritanishme tregojnë se e djathta ekstreme ka gjasa të dalë e para në raundin e parë të votimit, megjithëse ende nuk është konfirmuar se kush do të jetë kandidati zyrtar i partisë.
Marine Le Pen synon të kandidojë për presidente për herë të katërt. Ajo u rendit e treta në zgjedhjet e vitit 2012, ndërsa në vitet 2017 dhe 2022 arriti në balotazh përballë Emmanuel Macron.
Megjithatë, kandidatura e saj mbetet e pasigurt. Më 7 korrik pritet vendimi i Gjykatës së Apelit, e cila do të shqyrtojë nëse Le Pen do të lejohet të kandidojë, pas dënimit të saj në lidhje me një skemë të dyshuar të punësimeve fiktive në Parlamentin Europian. Nëse ndalimi mbetet në fuqi, Tubimi Kombëtar do të detyrohet të zgjedhë një kandidat tjetër për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.