Zelensky: Negociatat me Rusinë, vetëm pas largimit të saj nga territoret ukrainase - NACIONALE

Zelensky: Negociatat me Rusinë, vetëm pas largimit të saj nga territoret ukrainase

4 muaj më parë

nga Miranda Shala

"Aktualisht, asnjë negociatë me Federatën Ruse në lidhje me përfundimin e luftës nuk është e mundur, pasi pala ruse nuk mund të formulojë asnjë pozicion adekuat."

Kështu është shprehur, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë pjesëmarrjes në një panel diskutimi në takimin e 17-të të Strategjisë Evropiane të Yaltës "Ukraina: Mbrojtja e të gjithë lirisë sonë".

"Ne duam t'i japim fund luftës, por hapësira dhe mundësitë kanë ndryshuar. Shoqëria nuk dëshiron të flasë me terroristët. Edhe pse mund të komunikohet edhe me terroristët, sepse ata e dinë se çfarë duan", ka thënë më tej kreu i Ukrainës.

Zelensky theksoi se sa i përket palës ruse, ai nuk ka besim se do të mbajnë premtimet e tyre.

"Unë mendoj se ata nuk do ta bëjnë. Askush nuk beson," tha ai.

Sipas Zelenskyt, Rusia fillimisht duhet të largohet nga territoret ukrainase dhe të mos sillet si një terrorist e më pas mund të flitet për diplomaci.

"Në mënyrë që ne të hapim një korridor diplomatik me ta, ata duhet të tregojnë vullnet politik, se janë të gatshëm të kthejnë tokën e huaj. Atëherë mund të flasim të paktën për disa korridore që hapin hapa të caktuar diplomatik," ka përfunduar Zelensky.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Ukraina ka bërë një hap të madh përparimi duke rikthyer disa qytete kyçe në rajonin e Kharkiv-it.

Në një ofensivë të nisur, forcat e Ukrainës kanë detyruar ushtrinë ruse të tërhiqet nga disa zona, edhe pse Rusia e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se “vendimi është marrë për të rigrupuar trupat ruse në zonat e Balakleya dhe Izyum dhe për të ridrejtuar përpjekjet e tyre në drejtimin e Donetsk".

Në një seri deklaratash të dhëna të shtunën, ministria ruse poashtu tha se: "Operacioni për çlirimin e Donbasit përfshinte një sërë veprimesh diversioniste dhe demonstruese që shënonin aktivitetet aktuale të trupave", dhe pretendoi se forcat ruse kishin "vrarë më shumë se dy mijë luftëtarë ukrainas dhe të huaj, duke përfshirë mbi 100 mjete të blinduara dhe artileri në tre ditë”.

Ministria nuk ka pranuar tërheqjen nga Kharkiv, duke sugjeruar se kjo rishpërndarje ishe e planifikuar.

Lajme të ngjashme