“Reuters”: Samiti i radhës i NATO-s në Shqipëri, në dyshim
Përderisa udhëheqësit e NATO-s po përgatiten për një samit në Turqi javën e ardhshme, planet për një samit të aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në dyshim për shkak të rezistencës nga administrata e presidentit Trump dhe pakënaqësitë në mesin e anëtarëve të NATO-s me shpenzimet e ulëta të Shqipërisë në mbrojtje, i kanë thënë agjencisë “Reuters” një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të afërt me çështjen.
Një draft-deklaratë për samitin e NATO-s javën e ardhshme në Ankara tani për tani nuk e përmend mbajtjen e mbledhjes së ardhshme në Shqipëri, pavarësisht një deklarate të mëparshme se ajo do të mbahej në shtetin ballkanik, thanë burimet.
Një person i afërt me diskutimet tha se shpenzimet e Shqipërisë në mbrojtje janë të tillë që, nëse NATO-ja mban një samit në këtë shtet vitin e ardhshëm, Trumpi mund të zemërohet, duke nxitur tituj negativë në gazeta.
Një diplomat evropian tha se versioni i fundit i deklaratës thekson se udhëheqësit mezi e presin takimin e radhës, pa i saktësuar kohën ose vendin.
“Draftet janë drafte, jo vendime” – i tha agjencisë “Reuters” një zëdhënës qeveritar shqiptar, kur u pyet për mospërmendjen e vendit në draft-deklaratë, e cila është nën negocim dhe subjekt i ndryshimeve.
Shtëpia e Bardhë refuzoi që të komentonte. Një zyrtar i NATO-s tha se organizata nuk ka koment të menjëhershëm.
Në vitet e fundit, në deklaratat zyrtare të samiteve të NATO-s në mënyrë tipike është përmendur vendi i samitit të radhës.
Në samitin që u mbajt në Hagë vitin e kaluar, udhëheqësit thanë në deklaratën e tyre se “mezi e presim takimin tonë të ardhshëm në Turqi më 2026, i pasur nga një takim në Shqipëri”.
Në samitin e njëjtë, udhëheqësit e NATO-s iu përgjigjën kërkesave të Trumpit duke u zotuar se do të shpenzonin 5 për qind të GDP-së në mbrojtje dhe në masa të lidhura me mbrojtjen brenda një dekade.
Shtetet premtuan se do të shpenzojnë 3,5 për qind të GDP-së në mbrojtje kyçe – si ushtarë e armë – dhe 1,5 për qind në masa më të gjera të ndërlidhura me mbrojtjen, siç është siguria kibernetike.
Por përderisa shumë shtete të NATO-s i kanë rritur buxhetet e tyre të mbrojtjes gjatë muajve të fundit, disa vende kanë pasur vështirësi edhe për ta arritur qëllimin e mëhershëm të aleancës prej 2 për qind të GDP-së shpenzim në mbrojtje.
Qeveria e Shqipërisë tha në një deklaratë për agjencinë “Reuters” se ishte “duke i finalizuar masat e nevojshme fiskale për t’i renditur shpenzimet e mbrojtjes dhe ato të lidhura me mbrojtjen me trajektoren për të cilën janë pajtuar aleatët e NATO-s në Samitin e Hagës”.
“Porsa të miratohen këto masa në ditët në vijim, shpenzimet e Shqipërisë në mbrojtje dhe shpenzimet e ndërlidhura me mbrojtjen për vitin 2026 do të arrijnë në 2,6 për qind të GDP-së, në përputhje me Metodologjinë e Shpenzimeve të mbrojtjes të NATO-s. Prej tyre, 2,2 për qind e GDP-së përfaqëson shpenzime të mbrojtjes kyçe, ndërsa 0,4 për qind e GDP-së përfaqëson shpenzime të tjera të mbrojtjes dhe të ndërlidhura me sigurinë” – tha Qeveria.
Një diplomat evropian tha se Shqipëria në fund prapë mund të jetë pritëse e samitit.
“Unë ende besoj se samiti i radhës do të jetë në Shqipëri” – tha ai./Nacionale