Shembet kulmi i një ndërtese, vdesin 14 fëmijë në Pakistan
Katërmbëdhjetë fëmijë vdiqën, pasi kulmi i një ndërtese afër qytetit Lahore u shemb mbi ta, thonë zyrtarët e shtetit aziatik.
Incidenti ndodhi në një qendër të arsimit privat në periferinë Kahna të qytetit pakistanez. Nga skena janë marrë fëmijë të vegjël nën moshën 10-vjeçare, raporton televizioni BBC.
Autoritetet kanë nisur një hetim për shembjen dhe dy persona janë dërguar në ndalim si pjesë e hetimit fillestar.
Farooq Ahmed, zëdhënës i shërbimit emergjent, i tha BBC-së se ky shërbim mori telefonatë për rastin rreth orës 16:45.
Ai tha se operacioni i shpëtimit kishte përfunduar brenda një ore dhe se shumica e njerëzve të nxjerrë ishin mes moshave 7 e 11-vjeçare.
Përpos të vdekurve, mendohet se pesë persona të tjerë kanë pësuar lëndime.
Një burrë, i cili tha se mbesa e tij ishte në mesin e viktimave, i tha agjencisë së lajmeve AFP se kulmi i ndërtesës ishte “në gjendje të dobët”.