Ofensiva në Kharkiv: Ushtria ukrainase thotë se ka trefishuar zonën e rimarrë - NACIONALE

Ofensiva në Kharkiv: Ushtria ukrainase thotë se ka trefishuar zonën e rimarrë

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ushtria e Ukrainës thotë se forcat e saj kanë rimarrë mbi 3,000 km katrorë gjatë një kundërofensive të shpejtë në Ukrainën lindore.

Nëse konfirmohet, përparimi i jashtëzakonshëm do të thotë se forcat e Kievit kanë trefishuar fitimet e tyre të deklaruara në pak më shumë se 48 orë.

Të enjten në mbrëmje, Presidenti Zelensky tha se janë marrë 1000 km katrorë, ndërsa të shtunën e ngriti shifrën në 2000 km.

BBC nuk mund të verifikojë shifrat ukrainase dhe gazetarëve iu është mohuar qasja në vijat e frontit.

Por, të shtunën, kundërsulmi lindor pa trupat ukrainase të hynë në qytetet jetike të furnizimit nga Rusia, Izyum dhe Kupiansk.

Ndërkohë, zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar kanë paralajmëruar se luftimet kanë vazhduar jashtë këtyre qyteteve, dhe zyrtarët në Kiev thanë se forcat ukrainase po luftonin ende për të fituar kontrollin e një numri vendbanimesh rreth Izyum.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka konifrmuar tërheqjen e forcave të saj nga Izyum dhe Kupians, duke thënë se ishte me arsye “rigrupimi” në territorin e mbajtur nga separatistët e mbështetur nga Moska, Donetsk.

Ministria ruse gjithashtu konfirmoi tërheqjen e trupave nga një qytet i tretë kyç, Balaklya, në mënyrë që të "forcojë përpjekjet" në frontin e Donetsk.

Në të njëjtën kohë, kreu i administratës së instaluar nga Rusia në rajonin e Kharkiv rekomandoi që njerëzit të evakuoheshin në Rusi "për të shpëtuar jetën".

Pamjet e paverifikuara në mediat sociale duket se tregojnë radhë të gjata trafiku të krijuar në pikat kufitare, ndërsa guvernatori i rajonit kufitar Belgorod në Rusi, Vyacheslav Gladkov, tha se "mijëra" njerëz kishin kaluar në vend.

Ritmi i kundërsulmit ukrainas i ka zënë rusët në befasi dhe lideri çeçen Ramzan Kadyrov - një mbështetës i vendosur i Presidentit Vladimir Putin - duket se ka vënë në dyshim tërheqjen ruse.

Në një mesazh të postuar në Telegram, Kadyrov tha se nëse nuk do të kishte një ndryshim, ai do të detyrohej të pyeste udhëheqjen e vendit për të shpjeguar situatën.

Megjithatë rusët ende mbajnë rreth një të pestën e vendit dhe një fund i shpejtë i luftës nuk duket se është afër. Vetë Kadyrov këmbënguli se “Rusia do të fitojë” dhe “armët e NATO-s do të shkatërrohen.”

Lajme të ngjashme