Humbja e Rusisë dhe kalkulimi i gabuar i qeverisë së Kosovës - NACIONALE

Humbja e Rusisë dhe kalkulimi i gabuar i qeverisë së Kosovës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia ka marrë goditje të fuqishme gjatë ditëve të fundit. Ukraina po marshon drejt Rusisë, mirëpo kjo nuk do të thotë që tash NATO prapë do ta sulmojë Serbinë. Kjo e obligon Kurtin e Osmanin që të shfrytëzojnë realitetin e ri për të arritur një marrëveshje me Serbinë.

Berat Buzhala

Gjatë gjithë kësaj vere Ukraina kishte trumbetuar që po e përgatiste një aksion të fuqishëm ushtarak në jug të vendit. Rusia e kishte besuar këtë plan. Për t’u përballur me forcat ukrainase, rusët i kishin forcuar pozicionet e tyre atje ku pritej që do të sulmoheshin. Në këtë grackë kishin rënë edhe mediat, si ato në Ukrainë ashtu edhe ato në Amerikë dhe Evropë. Ishte rritur tejmase kurreshtja për epilogun e kësaj beteje. Kishin filluar edhe të shtënat e para. Mirëpo, pak kush e kishte pritur që beteja e madhe do të zhvillohej në veri të vendit.

Ukraina, me një asistencë të fuqishme të shërbimeve inteligjente amerikane, e kishin vënë në lajthitje vozhdin rus. Armatimi më i sofistikuar dhe forca të mëdha ushtarake në fshehtësi të madhe ishin pozicionuar qindra kilometra larg prej vendit ku Rusia kishte menduar. Të zënë në befasi, të sulmuar prej të gjitha anëve, forcat ruse e kanë marrë arratinë. Mediat perëndimore raportojnë që mijëra ushtarë rusë, të papërgatitur, e kanë marrë arratinë. Ushtarët ukrainas po marshojnë gati pa kurrfarë rezistence drejt qytetit Kharkiv, që është afër kufirit me Rusinë. Për më tepër, ushtria e Ukrainës ka arritur të rikthej rreth 2000 kilometra katrorë territore.

E gjithë kjo situatë e re në terren e ka zënë Vladimir Putinin të papërgatitur. Dje gjatë ditës ai kishte qenë në një manifestim në qendër të Moskës. Për herë të parë kundër tij janë kthyer edhe shumë gazetarë që vlerësohej që ishin lojalë.

Kjo është një kthesë e rëndësishme në këtë luftë. Morali i ushtrisë së Ukrainës është rritur. Kjo nuk do të ishte e mundur pa një armatosje të sofistikuar të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. E pabesueshme, mirëpo disa kritika kundër Putinit dhe ushtrisë ruse i kishte pasur sot edhe lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov. Pyetja që është duke u shtruar në Moskë është kjo: Cili është synimi ynë në këtë luftë? Për çka po luftojmë? Çka dëshirojmë të arrijmë?

Rusia dhe Putin duket që nuk kanë përgjigje në këto pyetje. Nuk kanë vizion për të ardhmen, përveçse po luftojnë sa për të luftuar. Kur kishte filluar lufta situata kishte qenë më e qartë. Ishte thënë që Rusia dhe forcat e saj do ta pushtojnë Ukrainën brenda disa ditëve, do ta ndërrojnë lidershipin, do ta vendosin aty një qeveri kukull. Ky plan është mbytur në ujë. Çka tash?

Ekspertët perëndimorë tash druajnë që Putini i mbështetur për muri, ka mundësi që do të fillojë ta shqyrtojë arsenalin bërthamor. Prandaj, kolumnisti i The New York Times, Ross Douthat shkroi dje që Ukraina dhe Perëndimi duhet të tregohen të kujdesshëm edhe me rastin e fitoreve, sepse në tërheqje e sipër Putin do të mund ta eskalojë konfliktin.

Sido që të jetë, rrjedha e fundit e ngjarjeve është mjaft interesante. Rusia tash e tutje do t'i përjetojë ngjarjet në Ukrainë me më shumë dhimbje. Sipas planit rus duket që nuk po shkon as manipulimi me gas. Gjermania dhe Italia, që konsiderohej të ishin dy vendet që do të vuanin më shumë se çdo shtet tjetër, tash i kanë mbushur rezervat e tyre me gas. Udhëheqësit italianë dhe gjermanë i ranë rreth e rrotull globit për të gjetur gas. Në këtë mënyrë edhe ky plan i Putinit nuk po kalon sipas pritjeve të tij. Sigurisht që edhe këtë dimër evropianët do ta paguajnë një çmim mjaft të lartë, por jo aq të lartë sa frikësohej.

Çka ka lidhje kjo me Kosovën?

ShBA dhe BE, me këtë Rusi në defansivë, po e shohin një mundësi të jashtëzakonshme për të arritur një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nuk është kurrfarë sekreti të thuhet që Serbia më shumë se sa aleat shembullor i Rusisë, ka qenë peng i Rusisë. Publiku në Serbi vazhdimisht ka qenë më shumë pro-rus se sa pro-evropian dhe këtë e ka ditur Vuçiq. Për këtë arsye ai po provonte ta mbante njëfarë balanci. Çdo anim nga Perëndimi do të ishte vdekjeprurës për të. Kisha serbe, por edhe forcat të tjera pro-ruse në Serbi, të afërta me Daçiqin dhe Vulinin do të forcoheshin dhe do t’i paraqitnin probleme të madhe Vuçiqit.

Kështu, Presidenti serb po ecte në një litar tepër të hollë. Tash, kur Rusisë i dolën telashe në oborr të vetin, duket që Vuçiq ka filluar të bëhet më pragmatik. Ai, ose njerëzit e tij, çdo ditë po takohen me ambasadorin amerikan, Chriss Hill, por edhe me përfaqësues të tjerë të BE – ShBA. Mesazhet e Vuçiqit duket që janë për një marrëveshje, prej së cilës Serbia nuk do të dilte e mundur krejtësisht, por që do të kishte diçka në dorë për të dalë para publikut. Ajo diçka në dorë është Asociacioni i Komunave Serbe. Ai e sheh këtë si një mundësi ideale për ta mbyllur problemin e Kosovës, që qartazi nuk është njohje reciproke, por që është normalizim i raporteve. Nuk është shumë, por nuk është as pak. BE dhe ShBA nuk duan ta kenë në Ballkan një Bjellorusi të dytë, prandaj janë të gatshëm për një kompromis të vlefshëm, që Serbinë e mban brenda aleancës.

Kosova në anën tjetër, e udhëhequr nga Kurti dhe Osmani, duket që ose nuk po e kupton këtë konstelacion të ri politik, ose po dëshiron ta luaj më fort këtë dorë. Investimi i madh i Kurtit dhe Osmanit se Serbia është Rusia e vogël dhe se Vuçiq është Putini i vogël, duket që nuk po shpaguhet. Se kush është Putini i vogël dhe kush është Rusia e vogël këtë më së miri e di Amerika, e cila është në një luftë ‘proxi’ me Rusinë. Prandaj minimumi që presin nga Kosova është që të mos u jap këshilla gjeostrategjike. ShBA pret nga Kosova që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog dhe ta mbyllë atë më sukses.

Kjo është një mundësi ideale. Rusia e dobët nuk do të thotë Serbi e gjunjëzuar, do të thotë Serbi më e lehtë për të dialoguar. Kushdo që nuk e kupton realitetin e ri e meriton në logjikë edhe një notë më të dobët se sa e kishte marë Dimal Basha në shkollë të mesme.

Lajme të ngjashme