Vrulli i Ukrainës nuk ndalet, thotë se ka arritur në kufirin rus - NACIONALE

Vrulli i Ukrainës nuk ndalet, thotë se ka arritur në kufirin rus

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ukraina po vazhdon të mbajë vrullin kundërsulmues në luftën e saj kundër Rusisë, duke thënë të hënën se ka çliruar fshat pas fshati e duke pretenduar se i ka shtyrë pushtuesit drejt kufirit.

"Në disa zona të frontit, mbrojtësit tanë arritën në kufirin shtetëror me Federatën Ruse," tha guvernatori rajonal i rajonit verilindor të Kharkiv, Oleh Syniehubov.

Zhvillimet ushtarake janë pranuar edhe nga Rusia, e cila tha se trupat e saj po tërhiqeshin për tu rigrupuar.

E pas sulmeve të së dielës nga Rusia ndaj centraleve dhe infrastrukturës tjetër që ndërpreu energjinë elektrike në shumë vende anembanë Ukrainës, autoritetet e Kievit thanë gjithashtu se furnizimet me energji elektrike dhe ujë janë rikthyer në rreth 80 për qind në rajonin e Kharkiv.

“Ju jeni heronj!!!”, shkroi kryetari i bashkisë së Kharkiv, Ihor Terekhov herët në mëngjes në Telegram, duke nënvizuar gjendjen shpirtërore në kombin që ka duruar më shumë se 200 ditë luftë dhe okupim.

“Faleminderit për të gjithë ata që bënë gjithçka që ishte e mundur në këtë natë më të vështirë për Kharkivin për të normalizuar jetën e qytetit sa më shpejt të jetë e mundur.”

Ditën e kaluar, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se trupat e tij kishin çliruar më shumë se 20 vendbanime.

Gjithë situate është komentuar edhe nga presidenti sfidues Volodomyr Zelensky , komentet e së cilit u bënë menjëherë virale.

“A mendoni ende se mund të na frikësoni, të na thyeni, të na detyroni të bëjmë lëshime? Vërtet nuk kuptoni asgjë? Nuk e kuptoni kush jemi ne? Për çfarë qëndrojmë ne? Për çfarë po flasim”, tha Zelensky.

"Lexoni buzët e mia," vazhdoi ai. “I ftohti, uria, errësira dhe etja për ne nuk janë aq të frikshme dhe vdekjeprurëse sa “miqësia” dhe vëllazëria juaj”.

Ai shtoi: “Do të jemi me gaz, drita, ujë dhe ushqim… dhe PA juve!”

Megjithatë, viktimat në vend vazhduan të rriteshin. Zyra presidenciale e Ukrainës tha të hënën se të paktën katër civilë janë vrarë dhe 11 të tjerë janë plagosur në një seri sulmesh ruse në nëntë rajone të vendit.

Ndërsa, kujtojmë se javën e kaluar, Zyra e të Drejtave të Njeriut nga OKB tha se deri më tani në Ukrainë janë vrarë të paktën 5,767 civilë.

Lajme të ngjashme