Sulmuesit e Kosovës në krizë për të shënuar gol dy muaj para fillimit të ciklit kualifikues për Euro 2024
Një formë shqetësuese është duke i shoqëruar sulmuesit anësorë të Kosovës sa i përket ngërçit me shënimin e golave. Kjo krizë e shënimit të golave vjen vetëm afro dhjetë javë para fillimit të kualifikimeve për Euro 2024.
Nga sulmuesit anësorë kosovarë kush më shumë e kush më pak është duke vuajtur nga “agjërimi i golave”. Megjithatë, katër prej tyre, që zakonisht gëzojnë edhe minuta të mëdha me Kombëtaren e Kosovës, janë më së shumti në vështirësi për ta gjetur rrugën e golit.
Fjala është për Arbër Zenelin, Milot Rashicën, Zymer Bytyqin dhe Edon Zhegrovën. Megjithëse jemi thuajse në fundin e javës së dytë të muajit janar – ata nuk kanë arritur që ta shënojnë qoftë golin e parë sezonal në ligat respektive. Ngushëllimin dy prej tyre, respektivisht Zeneli dhe Rashica – e kanë gjetur në ndeshjet e Kupave gjegjëse, kundër kundërshtarëve shumë më inferiorë për nga cilësia sesa skuadrat ku aktivizohen ata.
Ndonëse nuk janë karakterizuar edhe në të kaluarën si sulmues që shënojnë shumë gola gjatë një kampionati, prapëseprapë një ecuri e tillë, ku edhe pse kanë kaluar pesë muaj prej fillimit të kampionateve gjegjëse nuk arrijnë të zhbllokohen – mund të jetë një këmbanë alarmi edhe për Kombëtaren e Kosovës në prag të fillimit të kualifikimeve për Evropianin 2024, që nisin në fund të muajit mars.

Gjithmonë, me plot të drejtë, dy krahët e sulmit të Kosovës janë konsideruar si arma më e fortë e saj, sepse nëse vetë nuk kanë arritur t’i finalizojnë aksionet – kanë bërë të mundur që diçka të tillë ta bënte Muriqi si sulmues qëndror dhe me një intuitë më të mirë pranë portës.
Gjithsesi, edhe emrat tjerë “dardanë” që luajnë në dy krahët e sulmit nuk është se janë në elementin më të mirë nëse flasim për golat e paktë të realizuar. Rashani, Lirim Kastrati, Sahiti e të tjerët – janë dëshmia më e mirë.
Pasojat
Pasojat e moskontributit të mjaftueshëm, jo vetëm në realizimin e golave, por edhe në furnizimet me asiste – kanë bërë që disa prej tyre ta humbin edhe statusin e lojtarëve startues..
Zhegrova shfrytëzoi rastin për të luajtur titullar gjatë dy ndeshjeve të para pasi u rikthye futbolli francez nga pauza e Kupës së Botës, por nuk arriti që ta bëjë dallimin. Madje, në sondazhet online që u publikuan në mediet e afërta që mbulojnë Lillen, tifozët shpreheshin kundër që ai të startonte në përbërjen bazë të ekipit.
Para tij preferohej Ounas. Në fakt, ish-ylli i Napolit mbrëmë luajti nga minuta e parë kundër Brest. Zhegrova qëndroi në stol pa u inkuadruar fare në fushë.

Kriza e shënimit të golave dhe i të mos të qenët i rrezikshëm për portën kundërshtare është duke i kushtuar edhe Zymer Bytyqit. Ai që sezonin e kaluar kishte lënë mbresa të mira me Konyaspor, pasi shënoi 8 gola dhe 7 asiste në kampionat. Pasqyra e sotme është tjetër. Në këtë sezon është krejtësisht i fikur.
Vetëm dy asiste i ka regjistruar dhe asnjë gol të vetëm të shënuar. Kështu gradualisht është shndërruar në lojtar stoli. Duket sikur trajneri i skuadrës turke ka humbur durimin me këtë situatë të re të krijuar, kur ai nuk po ia del të zhbllokohet - duke vendosur që ta lërë në bankinë. Tregues janë dy ndeshjet e fundit.
Ndërkaq Arbër Zeneli, sado që akoma nuk e ka gjetur golin e parë në kampionat gjatë këtij sezoni, po ia del disi të fitojë minuta si titullar. Edhe pse, sikur në rastin e djeshëm, paraqitja e tij la shumë për të dëshiruar. Ai nuk ishte aspak produktiv në fitoren që Reims korri si mysafir kundër Ajaccio me rezultat 0:1, duke u zëvendësuar kështu qysh në minutën e 59-të.
“Shkëlqimi” i Rashicës pa shënuar gol
Milot Rashica është shndërruar prej lojtarëve që përkrahën në masë të madhe nga tifozët e flakët të Galatasarayt. Megjithatë, edhe pse është titullar vazhdimisht për ekipin e tij – edhe në rastin e Rashicës ka filluar të vërehet mungesa e golit në kampionat.
Kampionat ku Galatasaray po mbizotëron, duke qenë skuadra udhëheqëse në tabelë me një epërsi solide prej 4 pikëve ndaj rivalit lokal Fenerbahçes. 26-vjeçari në këtë ecuri të mirë ka kontribuar me 3 asiste dhe me angazhim vetëmohues, çka e ka karakterizuar gjithmonë si lojtar, duke kryer detyra të shumëfishta, qofshin ato defanzive.

Sido që të jetë, atë që bashkëlojtari i tij Akturkoglu ia ka arritur ta bëjë, e që luan në krahun tjetër të fushës, atë të majtin, duke shënuar 6 gola ose thuajse 20% të tërë golave që ka shënuar skuadra në Superligën turke – nuk po e bën edhe Rashica.
Ai është i vetmi nga sulmuesit startues të skuadrës nga Stambolli që akoma nuk është zhbllokuar në kampionat. Pra, edhe atij mungesa e shkundjes së rrjetës mund t’i shndërrohet si barrë, përkundër shkallës së përgjithshme të paraqitjeve në fushë.
Komponenta e golit do ta bënte akoma më të ndritshme sezonin që po kalon në Turqi, aq më shumë që mund të kurorëzohet edhe me trofeun kampion, meqë Galatasaray i ka të gjitha mundësitë për t’ia dalë me sukses këtij misioni.


