Pamje: Rashica asiston bukur për golin e Mertens, regjistron asistin e tretë në kampionat
Milot Rashica ka asistuar për golin e barazimit të Galatasarayt ndaj Ankaragucu. Ai vazhdon të jetë titullar i paprekshëm për ekipin turk.
Në minutën e 16-të sulmuesi kosovar e gjeti të lirë me anë të një harkimi të bukur bashkëlojtarin e tij Mertens. Ky i fundit me kokë futi topin në rrjetë për të shënuar për 1:1 (VIDEO).

Milot Rashica nga fundi i tetorit ka fituar statusin e sulmuesit titullar të ekipit nga Stambolli. Që atëherë ai ka qenë titullar i rregullt në skuadër, duke luajtur në të dy krahët e sulmit, edhe pse më shumë në atë të djathtin.
Për fat të keq, 26-vjeçari kosovar akoma nuk ka arritur ta shënojë golin e parë në kampionat. Me asiste qëndron më mirë. Ky i sotmi ishte i treti në kampionat.
Golat me Galatasarayn sulmuesi “dardan” i ka shënuar vetëm në Kupën e Turqisë. Ai në dy ndeshje të kësaj kupe numëron po kaq gola të shënuar (2).
Megjithatë, në përgjithësi atë e ka shoqëruar një formë e mirë gjatë këtij tre muajve të fundit, duke qenë çdoherë e më shumë pjesë aktive e sulmeve të Galatasarayt.
Kjo e sotmja ndaj Ankaragucu për të është ndeshja e 7-të që e luan si titullar në kampionat. Thënë ndryshe, edhe e shtata me radhë.
Kujtojmë se ai në ditën e fundit të afatit kalimtar veror u transferua në formë huazimi një-vjeçar nga Norwichi, pasi më nuk gjende qoftë hapësirë në përbërjen titullare, ashtu edhe lumturinë për të qëndruar aty, meqë skuadra angleze dështoi ta siguronte mbijetesën në Premierligë gjatë sezonit të kaluar.
Sipas medieve turke, Galatasaray do ta bëjë të pamundurën që ta blejë kartonin e tij, pasi të skadojë afati i huazimit.
