Dardani i javës: Rashica në ngritje të vazhdueshme, me të titullar Galatasaray nuk di për humbje
Milot Rashica javëve të fundit ka filluar ta rikthejë kondicionin fizik të mëparshëm, duke fortifikuar edhe pozitën e titullarit te Galatasaray. Në fundjavë zhvilloi njërën ndër paraqitjet e tij më të pjekura në kampionatin turk.
U komentua në këndvështrime të ndryshme zgjedhja e Rashicës për t’iu bashkuar Galatasarayt, duke u larguar nga Norwich, i shtyrë edhe nga fakti që ekipi anglez ra nga Premierliga drejt Championshipit.
Fillimi nuk ka qenë prej më të mirëve në Turqi. Sulmuesit kosovar iu deshën afro një muaj kohë që të fitonte minutat e dëshiruara në fushë.
Një ecuri e dobët në rezultate e ekipit nga Stambolli ishte një ogur i mirë për Rashicën, pasi trajneri Buruk mendoi që t’ia besonte atij pozitën e titullarit, duke sjellë paksa ndryshime në përbërje.
Dhe, Rashica bëri gjithçka çfarë duhej që të mos e çonte dëm këtë besim të trajnerit. Rashica po vërteton se ka më shumë cilësi sesa sulmuesi 22-vjeçar turk Akgun, ndaj të cilit ka fituar momentalisht garën për pozitën e titullarit.
Për ta demonstruar këtë, mjafton të përmendet fakti që nga momenti që ka ndryshuar rreshtimi sulmues i Galatasarayt, duke llogaritur këtu edhe vendosjen si titullar të sulmuesit kosovar, Galatasaray nuk di për humbje, me një mesatare prej një barazimi dhe tre fitoreve rresht.

Ai të shtunën zhvilloi një paraqitje shumë të pjekur ndaj Basaksehir, në një fitore të shkëlqyer që Galatasaray arriti në udhëtim me rezultat 0:7. Në këtë ndeshje Rashica dha një kontribut të çmuar, duke marrë edhe vëmendjen e tifozëve të Galatasarayt, që tani e shohin atë si një element të artë të ekipit.
Shtyllë, asiste dhe kundërsulme të shpejta
Në të vërtetë, Milot Rashica i bëri të gjitha gjatë fundjavës. Sidoqoftë, golin, fatkeqësisht, as kësaj radhe nuk e gjeti në kampionat (ndryshe nga Kupa e Turqisë ku ka shënuar dy sosh), por të gjitha tiparet tjera ishin në stad të lartë.
26-vjeçari ishte prej lojtarëve më aktivë në fushë nga Galatasaray. Daljet e tij të shpejta me topin ndihmuan ekipin që të realizonte pjesën dërmuese të golave në ndeshjen kundër Basaksehirin.
Shpejtësia e Rashicës, e shoqëruar me përvojën dhe teknikën e lartë të dyshes Merten dhe Icardi, si dhe e ndihmuar edhe me teknikën e mirë të Akturkoglu, e ka shndërruar të frikshëm sulmin e Galatasarayt në periudhën e fundit.
Në ndeshjen në fjalë, Rashica kishte një mesatare të lartë të pasimeve të sakta në pjesën e tretë të fushës, konkretisht thënë 67%.
Falë kontributit të tij u shënuan goli i tretë, respektivisht i ai pesti. Në driblime ishte në element të lartë veçanërisht në pjesën e parë, kur kishte një saktësi prej 67%. Njëherësh, ai goditi edhe shtyllën e lartë të portës në pjesën e dytë të takimit.

Përfaqësuesi kosovar u përfshi shumë edhe në duelet në sulm, duke i fituar 57% prej tyre. Nga ajo që u vu re gjatë ndeshjes, është krijuar një kimi e mirë në krahun e djathtë me Boey. Shumëherë janë ndihmuar anasjelltas në të dy fazat e lojës, duke kombinuar edhe më së shumti njëri me tjetrit me pasime.
Në këto katër javët e fundit, duke llogaritur periudhën kohore nga gjysma e muajit tetor, Milot Rashica është transformuar në lojtar të dobishëm për Galatasarayn.
Në pauzën dimërore për shkak të Kupës së Botës, Galatasaray ka ngushtuar distancën me rivalin e përbetuar lokal, Fenerbahce, në vetëm dy pikë, duke u pozicionuar i dyti në tabelë.

Rrjetet sociale janë vërshuar nga tifozët turkë të Galatasarayt që kërkojnë nga drejtuesit e klubit që ta blindojnë Rashicën, meqë dihet se ai është i huazuar nga Norwich për një sezon.
Ashtu siç është paralajmëruar, Milot Rashica do të pushojë gjatë kësaj jave dhe në javët në vijim, pasi nuk është ftuar nga përzgjedhësi Alain Giresse për dy ndeshjet miqësore ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe, meqë ai ka vendosur q| t'i lë jashtë listës lojtarët që mbajnë barrën kryesore të lojës te Kosova, siç është vetë sulmuesi i Galatasarayt njëri prej tyre.

