Rashica: Jam i lumtur që shënova dhe që luajta nga minuta e parë
Milot Rashica ka folur në fund të ndeshjes ndaj Kastamonuspor në Kupën e Turqisë, ku ekipi i tij fitoi me rezultat 7-0 dhe siguroi kualifikimin tutje. Sulmuesi kosovar në këtë ndeshje realizoi dy gola.
Në ndeshjen e parë që u inkuadrua si titullar, Milot Rashica u përkujdes që të shpaguante besimin e dhënë nga trajneri Buruk.
Ai këtë e bëri në formën më të duhur, duke shënuar dy herë dhe – për më tepër – kontribuoi edhe me një rast tjetër, gjegjësisht në golin për 3-0, ku u përfshi në aksionin në fjalë duke dhënë një asist të mirë.
Pra, një paraqitje e mirë e Rashicës, e cila mund t’ia ndryshojë tërësisht kapitullin te Galatasaray, i cili edhe ashtu nuk kishte nisur në mënyrën më të mirë, duke u paraqitur në fare pak ndeshje në fushë.
“Jam shumë i lumtur që kemi fituar dhe që kaluam në rrethin tjetër të Kupës. Gjithashtu jam i lumtur që fillova ndeshjen si titullar dhe që shënova golat. Gjëja më e rëndësishme për mua ishte të fitonim para tifozëve tanë”, nënvizoi Rashica.
Galatasaray nuk është se po shndrit në futbollin turk. Humbja ndaj Kayserispor gjatë fundjavës me rezultat 2:1 ishte një sinjal i qartë se skuadra akoma nuk është komponuar, pavarësisht se ka afruar një mori lojtarësh gjatë afatit kalimtar veror.

Rashica në këtë kontekst deklaroi se shpreson që kjo fitore t’u sjellë më shumë vetëbesim: “Sot, kemi finalizuar shumë raste që patëm. Mund të bëjmë akoma më shumë. Nga kjo fitore mund të nxjerrim shumë gjëra pozitive. Uroj që kjo ndeshje do të na rrisë vetëbesimin tonë dhe kështu ta fitojmë ndeshjen e radhës që na pret në fundjavë.”
Kjo ishte ndeshja e dytë me radhë që Rashica përçoi shenja të mira. Në sfidën që Kayserispor mposhti Galatasarayn, sulmuesi 26-vjeçar luajti në pjesën e dytë, ku u përfshi në golin e vetëm që shënoi ekipi me anë të Yilmaz për 2:1.
Rashica në pritje të rikthimit të formës fizike
Forma fizike e futbollistit kosovar nuk ka qenë prej më të mirave në periudhën e fundit. Një gjë e tillë u vu re edhe në ndeshjet e fundit që zhvilloi Kombëtarja e Kosovës në Ligën e Kombeve gjatë fundit të muajit shtator.
Fakti se nuk ka luajtur për disa javë gjatë muajit gusht me Norwich, e ka penalizuar tej mase atë që ta humbasë ritmin e ndeshjeve, gjë që reflektoi në muajt pasues, respektivisht shtator dhe tetor.

Mediet në Turqi ditëve të fundit kanë raportuar se trajneri Okan Buruk ka humbur durimin me Akturkoglu. Kështu ai po vlerëson opsionin që ta përfshijë në sa më shumë ndeshje Milot Rashicën nga minuta e parë.
Ndeshjen e radhës Galatasaray do ta luajë pranë tifozëve të vet, të dielën me fillim në ora 19:00.
Për momentin skuadra nga Stambolla zë pozitën e 7-të me 17 pikë të grumbulluara, duke qenë kështu larg objektivave që ia kanë vendosur vetes para fillimit të sezonit.


