Rashica: Ndihem shumë i lumtur që jam te Galatasaray - NACIONALE

Rashica: Ndihem shumë i lumtur që jam te Galatasaray

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi Milot Rashica ka ateruar në Stamboll, ku gjatë ditës së enjte do të kompletojë kalimin te Galatasaray.

Kosovari largohet nga skuadra e Championship, Norwich City pas vetëm një edicioni, derisa do të nënshkruajë në formë huazimi te Galatasaray.

Pasi mbërriti në Stamboll, Rashica u prit nga një numër i tifozëve dhe disa gazetarë, për të cilët shtoi se ndihet shumë i lumtur.

"Jam shumë i lumtur që kam ardhur në Stamboll. Kam qenë edhe më parë. Është shumë mirë që jam te Galatasaray", deklaroi Rashica.

Ndërkohë, klubi turk dje përmes një komunikate zyrtare njoftoi se janë në negociata me Norwichin për shërbimet e Rashicës.

"Negociatat zyrtare kanë nisur me futbollistin dhe klubin e tij, Norwich City, për huazimin e përkohshëm të lojtarit Milot Rashica tek klubi ynë", shkroi në komunikatë.

Kështu, tani kanë mbetur vetëm testet mjekësore 'peng', që Rashica të nënshkruajë për gjigantin turk.

Përndryshe, Rashica ka kontratë me Norwichin edhe për tre vite, derisa vlerësohet me 7 milionë euro në "Transfermarkt".

Koha e vështirë për Rashicën te Norwichi

Pavarësisht që vitin e kaluar ishte i padiskutueshëm në formacionin bazë, kjo nuk ndodhi këtë verë.

Trajneri Dean Smith kishte lavdëruar gjithmonë lojtarin për punën e bërë në stërvitje, sidoqoftë nuk e ftoi fare në këto tre xhirot e fundit.

Në fitoret kundër Coventru dhe Birmingham, Rashica nuk ishte me skuadrën, derisa ndaj Sunderland udhëtoi me ekipin, por pastaj Smith e largoi duke mos e lënë as në stol.

Rashica zhvilloi minuta vetëm në fillimin e sezonit, pra 84 minuta ndaj Cardiff, 77 ndaj Wigan (dhuroi edhe një asistim) dhe 58 minuta ndaj Hull Cityt pastaj humbi vendin në formacionin bazë.

Ndeshjen e fundit për Norwichin e zhvilloi kundër Huddersfield, duke u inkuadruar në minutën e 83-të në fushë.

Përndryshe, që prej kalimit te Norwich - Rashica zhvilloi 40 paraqitje në përgjithësi duke shënuar dy gola dhe kontribuar me tre asistime tjera brenda 2 mijë e 761 minutave në fushë.

Lajme të ngjashme