Gruda: Bllokada e vitit 2014 s’mund të krahasohet me situatën sot, atëherë s’kishte Aktgjykim të Kushtetueses
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka thënë se bllokada e vitit 2014 nuk mund të krahasohet me situatën e sotme në të cilën ndodhet Kuvendi i Kosovës.
Gruda në një postim në rrjetin social Facebook ka theksuar se në vitin 2014 nuk ekzistonte Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Ky aktgjykim është nxjerrë më 26 qershor 2025 dhe ka përcaktuar qartë se afati 30-ditor nuk është afat vetëm për ta filluar seancën konstituive, por afat brenda të cilit Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin e tij, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve.
Madje, ky interpretim nuk ekzistonte as gjatë fazës së parë të bllokadës së vitit 2025, deri në nxjerrjen e Aktgjykimit KO124/25. Pas 26 qershorit 2025, situata juridike ndryshoi, Gjykata Kushtetuese e dha interpretimin përfundimtar dhe detyrues të kësaj çështje”, ka shkruar ai.
Gruda ka shtuar se “nuk mund ta gjykosh sjelljen e vitit 2014 sipas një aktgjykimi që u nxor 11 vite më vonë”.