Si ngeli Krasniqi jashtë listës së Kosovës, ndonëse u prezantua me jehonë gjatë verës
Vetëm një ditë pasi i shënoi gol Dritës dhe e eliminoi nga rrethi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës, Laurit Krasniqi u zyrtarizua me bujë si lojtar i Kosovës. Mirëpo zhvillimi i tij në javët vijuese nuk ishte i atillë sa ta meritonte një ftesë të Kombëtares së Kosovës.
E gjithë vëmendja e futbolldashësve kosovarë ishte në përkrahje të Dritës kundër Antwerpit. Sidoqoftë, me t’u kumtuar formacionet zyrtare nuk është se nuk bëri përshtypje që në krahun e majtë të mbrojtjes për skuadrën belge do të luante edhe një lojtar me prejardhje kosovare: Laurit Krasniqi.
Ai luajti në të dy ndeshjet ndaj Dritës dhe në njërën prej tyre, atë vendimtaren, konkretisht thënë ndeshjen e kthimit që u zhvillua në Prishtinë – bëri dallimin me golin e tij që e shënoi në brendi të zonës, që zhbllokoi rezultatin në ndeshjen e kthimit dhe mundësoi kualifikimin e Antwerpit në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Gol të cilin e festoi me dhjetëra familjarë, të cilët ishin në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri” për ta parë nga afër.

Nga ai çast nuk kaluan as dymbëdhjetë orë dhe Federata e Futbollit të Kosovës përmes një komunikate publike bëri të ditur rekrutimin e Laurit Krasniqit në gjirin e Kombëtares “dardane”.
Gjithsesi, trajektorja e zhvillimit të tij nuk e mbajti të njëjtën konstantshmëri. Laurit Krasniqi vijon të jetë pjesë e projektit të Antwerpit, të një klubi që në përjashtim të Club Brugge, është ai që ka investuar më së shumti në tregun e lojtarëve gjatë verës (43 milionë euro) në kampionat belg. Për më shumë, bëhet fjalë për një ndër skuadrat e vetme evropiane që po marshon me pikë të plota në kampionat (27 sosh nga 9 ndeshje të zhvilluara).
Pas ndeshjes që Antwerp e fitoi ndaj Dritës, ishte mbrojtësi i krahut të majtë Sam Vines që ai riktheu pozitën e titullarit njësoj sikur para një sezoni.

Me të ndodhur kjo rrokadë, Laurit Krasniqi u vendos fillimisht në bankë rezervë gjatë ndeshjeve kualifikuese në kompeticionin evropian në fjalë, ku gjithsejt pati 14 minuta në fushë kundër Lillestrom. Ato ishin të fundit me skuadrën e parë në ndeshjet zyrtare.
Shumë pak për ta merituar ftesën e Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet e fundit që do t’i luajë në Ligën e Kombeve gjatë këtyre ditëve, aq më shumë nëse kemi parasysh konkurrencën dhe lojtarët tjerë që janë në atë pozitë.
Si po shkon zhvillimi i Laurit Krasniqit?
Duke e ditur se si po u besohet futbollistëve të rinj gjithandej nëpër klube të ndryshme evropiane, nuk mund të thuhet se është argument i qëndrueshëm ose justifikues fakti që Laurit Krasniqi nuk po luan me skuadrën e parë, sepse është 21-vjeç.
Megjithatë, kundër-tezë e kësaj mund të përmendet vazhdimi i kontratës që i është bërë Lauritit nga klubi në fillim të shtatorit.
Në fillim të muajit shtator, atij iu vazhdua kontrata për 3 vite me mundësi të vazhdimit edhe për një vit tjetër. Overmars dhe drejtuesit tjerë të klubit u shfaqen besimplotë për cilësitë e lojtarit kosovar dhe të qenët prosperues.

Mbase, këto ishin faktorë kryesorë pse atij iu propozua vazhdimi i kontratës për një kohë afatgjate. Ndërkohë, ai po vazhdon të luajë me skuadrën juniore në ligën 1ste Nationale.
Tani që shumica e lojtarëve të klubeve seniore nëpër Evropë kanë udhëtuar për t’iu bashkuar kombëtareve përkatëse, Antwerp ka ftuar disa lojtarë nga juniorët për t’u ushtruar me lojtarët e ekipit të parë që kanë mbetur në klub pa angazhim në kombëtare.
Kështu, Laurit Krasniqi ishte pjesë e skuadrës së parë të Antwerpit gjatë ditës së sotme, kur u zhvillua edhe një miqësore me dyer të mbyllura kundër RKC Waalwijk, që u humb me rezultat 1:2.

Mbrojtësi 21-vjeçar ndeshjen në fjalë e nisi nga banka rezervë, por u inkuadrua në pjesë të dytë.
