Laurit Krasniqi i bashkohet Kosovës, një ditë pasi shënoi kundër Dritës në Evropë - NACIONALE

Laurit Krasniqi i bashkohet Kosovës, një ditë pasi shënoi kundër Dritës në Evropë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrojtësi i majtë i Antwerp, Laurit Krasniqi, ka pranuar ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, njofton Federata e Futbollit Kosovës (FFK).

Krasniqi, 21 vjeç, nënshkroi marrëveshje profesionale njëvjeçare me klubin elitar belg Antwerp këtë muaj dhe tani do të jetë pjesë edhe e Kombëtares së Kosovës, raporton Nacionale.

“Një tjetër futbollist që po spikat në arenën evropiane ka vendosur t’i bashkohet Kosovës. Bëhet fjalë për mesfushorin e krahut të majtë të skuadrës belge Royal Antwerp, Laurit Krasniqi”, thuhet në një njoftim të FFK-së.

“Në fakt, presidenti Agim Ademi është takuar me futbollistin dhe e ka bindur që në nivel kombëtaresh ta përfaqësojë Kosovën. Ndërkaq, vetë futbollisti është shprehur i lumtur që po i jepet mundësia të japë kontributin e tij për vendin e origjinës dhe se do të bëjë çmos që të vazhdojë të luajë në nivele sa më të larta dhe t’i bëjë krenarë familjen e tij dhe të gjithë tifozët e Kombëtares së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Kush është Laurit Krasniqi?

Krasniqi është një 21-vjeçar i lindur dhe rritur në Belgjikë nga prindër shqiptarë nga Ferizaj në Kosovë, të cilit kishin emigruar në Belgjikë në vitet e 90-ta.

Ai ka luajtur për Antwerpin që prej moshës 12-vjeçare, duke kaluar nëpër të gjitha nivelet e klubit, para se të nënshkruajë marrëveshje profesionale me ekipin e parë në vitin 2021.

Krasniqi i ka bërë vetëm tri paraqitje në futbollin profesional, dy prej të cilave kundër Dritës në kualifikime të Ligës së Konferencës.

Ai shënoi për t’i ndihmuar Antwerpit ta mposhtë 2:0 Dritën në Fadil Vokrri të enjten, në ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës dhe të kalojë në rrethin e tretë, raporton Nacionale.

“Ende nuk mund ta besoj. Nuk e di se si po ndihem. E gjitha që di është se nuk do të fle shumë. E tërë familja ime ishte aty, çfarë ëndrre”, tha Krasniqi pas ndeshjes.

Krasniqi vrapoi nga mbrojtja deri në zonën e Dritës për të shënuar me kokë pas një harkimi në fillim të pjesës së dytë. Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë në Belgjikë, goli i tij ishte tejet i rëndësishëm për Antwerp për ta thyer akullin.

Më shumë se 10 mijë tifozë kosovarë ishin shumë të zhgënjyer me golin e tij, përveç një pjesë shumë të vogël, familjes së Krasniqit nga Ferizaj.

“Shumë familjarë të mi ishin të pranishëm. Prindërit, xhaxhallarët, hallat, kushërinjtë etj. Në fillim isha pakëz i stresuar me atmosferën e zjarrtë në stadium, por në fund çdo rrodhi natyrshëm dhe unë e shijova lojën”, nënvizoi 21-vjeçari nga Ferizaj.

Lajme të ngjashme