Krasniqi për golin kundër Dritës: E tërë familja ime ishte aty, çfarë ëndrre
Laurit Krasniqi nuk mundi të shpjegojë se çfarë po ndiente por e quajti një ëndërr të përmbushur shënimin e golit të parë në futbollin profesional, i cili erdhi rastësisht kundër një klubi nga atdheu i tij Kosova.
Krasniqi shënoi për t’i ndihmuar Antwerpit ta mposhtë 2:0 Dritën në Fadil Vokrri, në ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës dhe të kalojë në rrethin e tretë, raporton Nacionale.
“Ende nuk mund ta besoj. Nuk e di se si po ndihem. E gjitha që di është se nuk do të fle shumë. E tërë familja ime ishte aty, çfarë ëndrre”, tha Krasniqi pas ndeshjes.

Krasniqi – një mbrojtës i majtë 21-vjeçar që thuhet të jetë në pritje të ftesës nga Kombëtarja e Kosovës – i ka bërë vetëm tri ndeshje profesionale, dy prej të cilave kundër Dritës, pasi kaloi nëpër grupmoshat e akademisë së klubit belg para se të kalonte në ekipin e parë duke nënshkruar marrëveshje njëvjeçare këtë verë.
Krasniqi vrapoi nga mbrojtja deri në zonën e Dritës për të shënuar me kokë pas një harkimi në fillim të pjesës së dytë. Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë në Belgjikë, goli i tij ishte tejet i rëndësishëm për Antwerp për ta thyer akullin.

Më shumë se 10 mijë tifozë kosovarë ishin shumë të zhgënjyer me golin e tij, përveç një pjesë shumë të vogël, familjes së Krasniqit nga Ferizaj.
“Shumë familjarë të mi ishin të pranishëm. Prindërit, xhaxhallarët, hallat, kushërinjtë etj. Në fillim isha pakëz i stresuar me atmosferën e zjarrtë në stadium, por në fund çdo rrodhi natyrshëm dhe unë e shijova lojën”, nënvizoi 21-vjeçari nga Ferizaj.
Ndërkohë, edhe trajneri i Antwerpit, Mark van Bommel, e cilësoi si shumë të rëndësishëm këtë gol për karrierën e Krasniqit.
“Kjo është diçka shumë e mirë për Lauritin”, tha trajneri i tij Mark van Bommel.
Ai shtoi: “Si kosovar, ai mezi po e priste këtë ndeshje.”