Sekretari i FPK-së: Do ta ndjekim Serbinë deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv - NACIONALE

Sekretari i FPK-së: Do ta ndjekim Serbinë deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Serbia ua ndaloi garuesve kosovarë në pingpong pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian për të rinj. Për Gazetën Nacionale, sekretari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Fadil Luta, sqaroi të gjithë ngjarjen.

Në vazhdën e Kampionatit Evropian në PingPong për të rinjtë që po mbahet në Serbi, Kosova ishte ftuar nga ETTU për të marrë pjesë si e barabartë me vendet tjera.

Megjithatë, garuesve kosovarë u mohua një gjë e tillë nga organet sportive gjegjëse serbe. Një ndalesë e radhës, e cila nuk ishte e para, pasi sportistët kosovarë qe një kohë të gjatë po vuajnë nga kjo qasje skandaloze e zyrtarëve serbë. E njëjta u kishte ndodhur edhe boksierëve kosovarë në vjeshtën e vitit të shkuar.

Sqarimin e të gjithë ngjarjes që ka ndodhur me garuesit kosovarë të pingpongut, për Gazetën Nacionale e dha sekretari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Fadil Luta.

Ndalimi i pjesëmarrjes me simbole shtetërore, i papranueshëm

Sekretari i Federatës së Pingpongut, Fadil Luta, i tha Gazetës Nacionale se Serbia si nikoqire u kishte vënë kusht atyre që të paraqiteshin pa simbole shtetërore, gjë të cilën këta të fundit nuk e kanë pranuar.

"Nga 6 deri më 17 korrik në Serbi ishte në program organizimi i Kampionatit Evropian për të rinjtë. Ne jemi paraqitur me 12 lojtarë në 4 kategori: U15 dhe U19, në të dy gjinitë.

"Si rrjedhojë, na është lejuar që të marrim pjesë vetëm me emrin e federatës. Kjo për neve ka qenë e papranueshme.

"Pas shumë kontakteve me ETTU-n (Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut), jemi detyruar që ta dërgojmë ankesën në bordin e apelit të institucionit në fjalë. Ndërkaq, tani jemi në pritje të vendimit", shtoi ai.

Paralajmërohet ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv

Tutje, z. Luta për Gazetën Nacionale tregoi edhe hapat e mëtejm që do t'i marrin nëse hasin në vesh të shurdhër për ankesat që i kanë parashtruar.

"Ne kemi pritur që bordi (i ETTU-s) të marrë vendim para fillimit të kampionatit. Procedurat e parapara për bordin e apelit zgjasin deri në 30 ditë.

"Po shpresojmë që do të dënohet Serbia, pasi nuk janë plotësuar kushtet e barabarta për të gjithë pjesëmarrësit.

"Në rast se nuk bëhet kjo, ne do të procedojmë në CAS (në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv)", përfundoi sekretari Luta.

Edhe pse bota e qytetëruar po lëviz me hapa të shpejtë, ku barazia dhe liria e lëvizjes janë kushte parësore dhe themeltare, sportistët kosovarë po hasin në një mal me probleme - qoftë për të siguruar me raste një vizë për udhëtim apo edhe për të marrë pjesë në gara të ndryshme si të barabartë.

Kjo dukuri është shënuar disa herë dhe dhjetëra ankesa janë paraqitur nga institucionet sportive vendore në drejtim të instancave të ndryshme sportive evropiane, por Serbia, ashtu sikurse edhe disa shtete tjera që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, vazhdojnë të operojnë me shkallën e njëjtë të diskriminimit.

Lajme të ngjashme