Serbia me një tjetër skandal, ia mohon Kosovës pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të pingpongut - NACIONALE

Serbia me një tjetër skandal, ia mohon Kosovës pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të pingpongut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sportistët kosovarë vazhdojnë të kenë probleme që t'i zhvillojnë aktivitetet e tyre në territorin serb. Këta të fundit ua mohuan pjesëmarrjen përfaqësuesve kosovarë në pingpong.

Për ta konfirmuar një ndalesë të tillë, u përkujdes vetë Federata e Pingpongut të Kosovës, e cila me një shkresë publike në faqen e saj zyrtare të rrjetit social Facebook, sqaroi të gjithë atë çfarë kishte ndodhur.

Sqarimi i Federatës

Federata e Pingpongut u mundua që ta japë një shpjegim sado të detajuar për atë çfarë ngjau, në lidhje me pengesën që hasen në Serbi, për ushtrimin e një të drejte krejtësisht legjitime: përfaqësimin e barabartë në një ngarje sportive.

Në shkresën e saj, federata dënoi atë çfarë shteti serb ndërmori në dëm të tyre, duke i privuar kështu sportistët kosovarë që të garojnë në Kampionatin Evropian në grupmoshën U21.

"Pavarësisht se Kosova është anëtare me të drejta të plota në ETTU, Serbia sërish e mohoi pjesëmarrjen tonë si anëtare e barabartë në Kampionatin Evropian të të rinjve, i cili po mbahet në Serbi. Ndërhyrja politike në aktivitetet e sportistëve duhet dënuar", thuhet në pjesën e parë të komunikatës.

Apel drejtuar strukturave sportive vendore dhe ndërkombëtare

Në pjesën e fundit të komunikatës, drejtuesit e federatës u kanë bërë apel institucioneve sportive vendore dhe ndërkombëtare që të reagojnë sa më shpejt, duke ndërmarrë hapa konkretë.

"U bëjmë thirrje të gjitha strukturave sportive vendore dhe ndërkombëtare, që të ndërmarrin masa konkrete për zbatimin e të drejtës themelore të sportistëve tanë, për pjesëmarrjen në të gjitha garat", shkruhet në komunikatën e tyre.

Njëherit, e njëjtja komunikatë është shkruar edhe në gjuhë angleze, sa për t'u munduar që zëri i tyre të dëgjohet sa më shumë dhe sa më larg.

Një histori ndalesash nga Serbia

Kjo nuk është hera e parë që Serbia u vë ndalesë sportistëve kosovarë. Një ngjarje e freskët daton edhe me boksierët kosovarë, të cilët në vjeshtën e fundit të shkuar ishin ndaluar në pikëkalimin kufitar në Merdarë, duke mos i lënë që të hynin brenda Serbisë.



Ishin vetë zyrtarët e Komitetit Olimpik të Kosovës ata që plasonin lajmin në publik se ekipit të Kosovës në boks u ishte ndaluar hyrja në shtetin serb. Kësisoj, Serbia ua mohonte të drejtën garuesve kosovarë që të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, i cili po ashtu mbahej në Beograd.

Pra, edhe ndalesa e sotme ishte vetëm një vazhdimësi e asaj çfarë po ngjan vazhdimisht, me pengesa të panumërta në të cilat po hasin sportistët tanë, për të marrë pjesë në aktivitet sportive në Serbi.

Lajme të ngjashme