Mbi 600 ushtarë amerikanë të plagosur që nga fillimi i luftës me Iranin
Së paku 624 ushtarë amerikanë janë plagosur që nga fundi i shkurtit, kur presidenti Donald Trump dha urdhër për fillimin e sulmeve kundër Iranit, sipas përditësimit më të ri nga Pentagoni më 25 korrik.
Në mesin e të lënduarve, 417 thuhet se pësuan gjatë operacionit “Furia Epike”, ndërsa 207 në “operacione jashtë vendit”, raporton televizioni BBC.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani u pajtuan për armëpushim në prill dhe nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në qershor, por sulmet mes dy palëve kanë vazhduar.
Javën e kaluar, Pentagoni i rishikoi numrat e të lënduarve dhe të vrarëve në luftë, duke i marrë emrat e katër ushtarëve që vdiqën në operacionin “Furia Epike” dhe duke i vendosur ata te lista e të vdekurve gjatë “operacioneve jashtë vendit”.
Sipas të dhënave të Pentagonit, numri i të vdekurve në operacionin “Furia Epike” është 18 deri të martën, ndërsa 482 ushtarë janë plagosur.
Megjithatë, katër emra të të vrarëve u hoqën nga kjo listë dhe, të enjten, numri u zvogëlua në 14.
Emrat e katër ushtarëve tani ndodhen në listën e “operacioneve jashtë vendit”, ku thuhet se llogariten viktimat duke filluar nga 7 korriku. Këtu janë vetëm katër emra ushtarësh të vdekur.
Ndryshimi i pashpjeguar dhe i heshtur i statistikave të ushtarëve të vrarë dhe të plagosur është kritikuar si minim i transparencës.