Medon Berisha bind të gjithë te Lecce, Kombëtarja A nuk duhet të qëndrojë indiferente - NACIONALE

Medon Berisha bind të gjithë te Lecce, Kombëtarja A nuk duhet të qëndrojë indiferente

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Talenti i ri kosovar, Medon Berisha, ka lënë mbresa të mira me Leccen në fazën parapërgatitore, para se të nisë edicioni i ri i Serie A. Kosova duhet të tregohet syhapur.

Nga ekipi i të rinjve të Young Boys u transferua te Lecce në shkurt të këtij viti. Medon Berisha u transferua me një pompozitet të madh, ngase ashtu u trajtua nga drejtuesit e klubit, të cilët besonin tek ai.

Për hir të vërtetës, Medoni kishte treguar paraqitje shumë të mira në Ligën e Kampionëve për të rinjtë, me fanellën e Young Boys. Ndeshja e skuadrës zvicerane kundër Atalantas, ku protagonist ishte mesfushori i ri kosovar, kishte bindur drejtuesit italianë që të investonin tek ai, duke e zhvendosur te skuadra respektive e juniorëve.

Gjatë këtij sezoni që po vjen, Lecce do ta ketë të vështirë mbijetesën, pasi buxhetin e ka tej mase të kufizuar. Për këtë arsye, Pantaleo Corvino, si drejtor sportiv i klubit, ka koncentruar tërë vëmendjen te promovimi i futbollistëve të rinj. Në mesin e dy lojtarëve të rinj të përzgjedhur nga kjo prizmë është edhe mesfushori i Kombëtares së Kosovës U21, Medon Berisha.

Fantazi, kreativitet dhe personalitet

Lecce do të hyjë me synim të vogël në këtë sezon të ri, siç është ai për mbijetesë, por presioni që ndërtohet rreth skuadrës është megaloman.

Kjo vjen si pasojë e një entuziazmi të madh që reflektohet nga tifozët puljezë. Në këtë aspekt, Medon Berisha nuk ka rënë pre në ndeshjet që ka zhvilluar me Leccen në miqësoret e kësaj faze parapërgatitore.

Fillimisht, mendohej se ai do të luante vetëm në ndeshjet e para, ndaj skuadrave amatore, për t'u zhvendosur sërish te juniorët e ekipit. Mirëpo, falë paraqitjeve të tij të mira, ai konfirmoi qëndrimin me skuadrën e parë deri në fillim të edicionit 2022/2023 të Serie A.

Gjatë të gjithë ndeshjeve u pozicionua si mesfushor organizator i lojës, ku u veçua me driblime, pasime dhe tërë personalitetin që dëshmoi në fushë. Kjo e fundit u vu re nga të gjithë komentatorët sportivë italianë, pasi këto ndeshje u transmetuan në kanalet televizive me frekuenca kombëtare, me ç'rast u lavdërua qasja dhe mentaliteti i 18-vjeçarit në emisionet ku u bënë analizat.

Pas këtyre paraqitjeve, ku spikati veçanërisht edhe ndaj skuadrave profesioniste si Bochum apo Parma, ai jo veç që ka zënë pozitë të rëndësishme te projekti i Lecces, por ka përçuar mesazh të qartë edhe për Kombëtaren e Kosovës A dhe FFK-në, të cilët heraherës janë kritikuar nga opinioni futbolldashës vendor që operojnë me vonesë në promovimin e futbollistëve te Kombëtarja seniore.

Kosova duke u vonuar që t'i promovojë lojtarët në Kombëtaren A, shpesh ka hasur duke përfunduar gojëhapur, pasi të njëjtit kanë ikur drejt kombëtareve tjera. Nevoja për t'i bllokuar si lojtarë të saj, duke i inkuadruar qoftë edhe pak minuta në ndeshje zyrtare, shihet e domosdoshme dhe masa e vetme preventive ndaj largimeve paparalajmëruese, që janë shndërruar në fenomen të lodhshëm dhe koklavitës.

Nga kjo përspektivë, ftesa e Medon Berishës nga përzgjedhësi Alain Giresse, njësoj sikurse e talentëve të tjerë, edhe nëse do të nxitohej, do të ishte racionale për të ardhmen.

Gjithsesi, mosha ia lejon Berishës që të luajë edhe një kampanjë tjetër kualifikuese me Kosovën U21, e cila tashmë do të drejtohet nga përzgjedhësi i ri, Afrim Tovërlani.

Trajneri i Lecces zgjedh fjalë të mira për Berishën

Pas çdo përfundimi të ndeshjeve miqësore, trajneri Marco Baroni ka thënë fjalë miradije për Medon Berishën.

"Berisha ka dhënë përgjigje të rëndësishme në fushë. Involvimi në skemat e skuadrës të lojtarëve të rinj ka qenë i përshpejtuar"
, deklaroi ai pas përfundimit të miqësores kundër Parmas, që u humb me rezultat 1:0.

Lojtarët e rinj si Berisha dhe Gonzalez kanë qenë ata që më së shumti kanë rënë në sy në këto ndeshje miqësore të zhvilluara nga skuadra jugore italiane.

Duke dijtur faktin që në rastin e mesfushorit të shpresave të Kosovës mosha e tij është shumë e re, si 18-vjeç, atëherë nënkupton se hapat e bërë nga ai janë domethënës, ani se i duhet akoma kohë.

Mediet e afërta me Leccen e glorifikojnë Berishën

"Sa të mirë të rinjtë Gonzalez dhe Berisha", "Shkëlqen i riu Berisha", "Akoma të dalluar Berisha dhe Gonzalez" - janë disa prej titujve të shtypit italian gjatë këtyre ditëve.

Edhe me nota mediet italiane kanë thurr elozh ndaj Berishës, duke e vlerësuar mbi mesatarisht për atë çfarë ka treguar në minutat që i ka dhënë trajneri i tij.

Kjo nuk do të thotë që mesfushori 18-vjeçar është gati për ta bërë dallimin në Serie A, e as për të luajtur ndoshta në një kampionat të tillë, por se hapat që po i shënon drejt kapërcimit nga lojtari junior në atë senior - janë thelbësorë dhe me peshë.

Për fatin e tij të mirë, ai gjendet në një klub ku zhvillimin e futbollistëve të rinj e ka prioritet parësor.

Lajme të ngjashme