Profili i Medon Berishës, talentit të ri që Kosova ia rrëmbeu Shqipërisë nga duart - NACIONALE

Profili i Medon Berishës, talentit të ri që Kosova ia rrëmbeu Shqipërisë nga duart

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

I lindur dhe formësuar si lojtar në futbollin zviceran, Medon Berisha, si i shumëkërkuar ishte në sytë e tri kombëtareve: Zvicër, Shqipëri, Kosovë. Së fundmi, përfundoi te Kosova U21. Profili i tij, tiparet teknike dhe detajet tjera - do t'jua sjellim në vijim.

Medoni është mesfushor 18-vjeç. Fillimin e karrierës si futbollist e ka pasur në FC Bern, ndërsa shumë shpejt u federua si lojtar i Young Boys, respektivisht nga mosha 15-vjeçe. Për tri vjet radhazi qëndroi në klubin respektiv, duke u kalitur në grupmoshat e tij. Ai vendosi që t'i japë fund kapitullit në futbollin helvet gjatë shkurtit të këtij viti, pasi dëshmoi paraqitje të mira me Young Boys në Ligën e Kampionëve për të rinj, i njohur si formati UEFA Youth League.

Kjo ra në sy të njërit prej drejtuesve sportivë më të mirë italian, siç është Pantaleo Corvino i Lecces. Skuadër e cila ka siguruar promovimin në Serie A. Për ata që nuk e dinë, Corvino ka një afinitet sa i përket sigurimit të lojtarëve nga kampionati zviceran. Diçka të tillë e kishte bërë edhe në të kaluarën me Valon Behramin.

Përndryshe, ishte edhe arkitekti i njërit prej formacioneve të Fiorentinës më të mirë që kanë parë sytë e futbolldashësve italianë në mileniumin e fundit, me afrimet e lojtarëve si Adrian Mutu, Luca Toni, Riccardo Montolivo e të tjerë. Pra, këmbëngulësia e Corvinos për ta siguruar medoemos Berishën në moshën 18-vjeçe, në mënyrë që të zhvendosej fillimisht te skuadra juniore e Lecces, ishte intriguese. Dhe, njashtu, ishte afrimi i fundit i Lecces në afatin kalimtar dimëror.

"Medon Berisha na nevojitet për ta siguruar mbijetesën në Primavera" - dhe projeksioni i tyre doli i suksesshëm. Berisha u ndihmoi në këtë aspekt, duke dhënë kontribut të çmuar me 13 paraqitjet e tij.

Tiparet teknike si lojtar

Medon Berisha luan si "10"-sh i lirë. Ai mund të luajë qoftë në mesfushën me 3, qoftë edhe mbrapa sulmuesit ose sulmuesve në 4-2-3-1 apo 4-3-1-2.
Ajo çfarë shquhet talenti 18-vjeç ka të bëjë me teknikën e tij të përsosur me posedim të topit. Ka tipare të ngjajshme me Dion Berishën, lojtarin e Augsburg dhe të Kombëtare së Kosovës U21.

Atij i vijnë shumë natyrshëm depërtimet në zona të ngushta dhe driblimet në lojën një kundër një. Pa hiperbolizuar, pa ekzagjeruar - ishte ndër lojtarët më tërheqës te të rinjtë e Young Boys. Veten e vuri në spikamë posaçërisht në ndeshjen përballë Atalantës në UEFA Youth League gjatë fundvitit të kaluar. Ai ishte pjesë e një skuadre si Youg Boys që punon shumë mirë viteve të fundit me lojtarë të rinj, duke arrijtur t'ua nxjerrë më të mirën atyre, për të inkasuar shifra të rëndësishme në tregun e lojtarëve, të cilat u mundësojnë që ta kenë një qendrueshmëri financiare në bilancin vjetor (ndryshe nga Basel, ta zëmë).

Pra, nëse dhuntinë kryesore e ka teknikën dhe "aventurën" me top, nganjëherë edhe duke e tepruar, një e metë që mund t'i faturohet është çalesa në pozicionim kur nuk është me topin në pronësi. Sa herë që Lecce nuk ka arritur ta ketë kontrollin në lojë, ai është zhdukur në fushë. Kur është vënë në dukje, ka ndodhur për ndonjë karton të verdhë ose ndërhyrje zhagas të pallogaritur mirë.

Loja me kokë nuk është fare në domenin e tij. Në përgjithësi, vuan paksa nga vazhdimësia në paraqitje, por është lojtari tipik që me një potez mund ta zgjidhë fatin e ndeshjes. Edhe pasimet vertikale dhe pasimet "no-look" (pa shikuar fare topin, e as lojtarin që dëshiron t'ia pasojë topin) - janë pjesë e karakteristikave të tij.

Më shumë i shpejtë në start me top sesa që është i shpejtë në përgjithësi. Kur e vendos startin me top, është vështirë i arrijtshëm. Pavarësisht që është 18-vjeç dhe llogaritet ende i ri, ajo çfarë mediat italiane me të drejtë ia atribuojnë si mangësi ka të bëjë me konstruktin trupor ende jo në nivelin e dëshiruar, çfarë bën që të humbasë shumë duele fizike.

Statistikat në Lecce

Siç e thamë edhe më herët, Medon Berisha me 13 paraqitjet e tij, ka arritur që ta ndihmojë skuadrën në objektivin e saj parësor, atë të mbijetesës, duke realizuar edhe 2 gola. Njërin madje nga gjysmëfusha mes tjerash, e që ishte një perlë e vërtetë.

Fillimi për të ka qenë i vështirë, sepse koha për ambientim ishte tej mase e shkurtër. Në përgjithësi arriti të përshtatet në mënyrë diskrete në rrjedhat e një futbolli që taktikisht dallon shumë nga ai helvet.

Tani pritet që të marrë pjesë edhe në fazën parapërgatitore të skuadrës së parë të Lecces në fillim të muajit korrik, në prag të fillimit të edicionit të ri futbollistik të Serie A, 2022/2023.

Zvicra, Shqipëria dhe Kosova - garë e trefishtë për Berishën

Tri kombëtare, një shënjestër. Zbërthyer ndryshe - Zvicra, Shqipëria, Kosova dhe Medon Berisha. Në fakt, deri në vjeshtën e vitit të kaluar Berisha ishte futbollist i Shqipërisë U19, të drejtuar nga trajneri shkodran, Armando Cungu. Ai me kombëtaren kuqezi zhvilloi dy paraqitje. Ndërkohë që e kompletoi transferimin në Lecce, vetë mediat e afërta me klubin nga rajoni i Puglias, jepnin sinjale që, edhe pse Medoni ishte si lojtar i federuar i Shqipërisë, ishte akoma e paqartë se cilën kombëtare do ta përfaqësonte, sepse edhe Zvicra po bënte përpjekje për ta pasur në radhët e veta.

Dhe, nga plani i dytë, Kosova ia rrëmbeu Berishën nga duart Shqipërisë. Federata në këtë aspekt ka bërë punë shumë të mirë. Duke i njohur vështirësitë në afrimin e lojtarëve për ekipin e parë kombëtar, ka filluar që nga vera e shkuar një ofanzivë totale për t'i kontaktuar dhe afruar lojtarët me prejardhje kosovare kudo që gjenden ata, e që janë të moshës së re.

Kësisoj, edhe Kosova ia ofroi mundësinë për tu grumbulluar me grupmoshën U21. Një gjë e tillë veçse është vënë në praktikë tashmë. Medon Berisha është pjesë e ekipit kombëtar të shpresave në tri ndeshjet e fundit që ajo do t'i zhvillojë gjatë këtyre ditëve, ku sot do të luajë në Andorrës në udhëtim me fillim në ora 18:00.

Ai nuk pritet ta fillojë ndeshjen nga fillimi, por burime pranë zyrtarëve të afërt me kombëtaren U21, kanë treguar që menjëherë ka lënë përshtypje të mira.

Prandaj, duke e dijtur edhe historikun me disa lojtarë të rinj që Kosova i ka pasur në radhët e veta, e madje ku pas një afirmimi në nivele të kënaqshme futbolli, kanë ndërruar sërish ambient - duhet pasur kujdes edhe me rastin e Medon Berishës dhe të tjerëve.

Tekefundit, njëri prej drejtuesve sportivë më me përvojë dhe më i dëshmuar, Pantaleo Corvino, nuk do të kishte insistuar aq verbërisht për ta afruar një skuadrën e tij një 18-vjeç nëse nuk do të shihte diçka premtuese. Në rastin e Meridon Berishës, jo diçka, por shumëçka mund të konsiderohet e tillë, veçanërisht për ata që e kanë parë nga afër dhe e njohin. Patjetër, pa ia shtuar presionin dhe pa i bërë një gjykim të shpejtë. Gjykimin atij do t'ia bëjë e ardhmja. Kjo e fundit për të është dritë.

Lajme të ngjashme