ShBA-ja u jep viza futbollistëve të kombëtares iraniane, do të luajnë në Los Angeles
Lojtarëve të kombëtares iraniane të futbollit, e cila është pjesë e Kupës së Botës, u janë dhënë viza për hyrje në Shtetet e Bashkuara, i tha të premten agjencisë “Reuters” një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, vetëm dhjetë ditë para lojës së tyre të parë në Los Angeles, në kohën e një konflikti mes dy vendeve.
Ambasadori i Iranit në Meksikë, Abolfazl Pasandideh, tha të enjten vonë se skuadra ende nuk i kishte marrë vizat amerikane, por ato u lëshuan gjatë natës së kaluar, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.
Teherani e negocioi zhvendosjen e bazës së kombëtares iraniane nga Arizona në Tijuana të Meksikës për shkak të problemeve me viza dhe ndjenjës në rritje në Iran se prania e skuadrës në ShBA duhet të jetë minimale.
Ekipi iranian pritet të arrijë në Tijuana të dielën herët në mëngjes.
Irani do ta luajë ndeshjen e parë në grupin G më 15 qershor kundër Zelandës së Re në Los Angeles të ShBA-së, ku gjithashtu do të ballafaqohet me Belgjikën, para se të luajnë kundër Egjiptit në Seattle.
Lufta e Iranit e ka shndërruar Kupën e Botës në kontest gjeopolitik, pasi të dyja palët duket se po e përdorin këtë ngjarje sportive për pozicionim politik.
Kjo është e para Kupë e Botës, që nga themelimi i saj më 1930, në të cilën një vend pritës do ta presë në territorin e vet ekipin e një shteti me të cilin është në luftë.
Ambasadori iranian në Meksikë tha se Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk kanë thënë formalisht se nuk dëshirojnë që ekipi iranian të qëndrojnë në territorin e tyre./Nacionale